Presidenti i FSHF-së, Armand Duka takon krerët e lartë të juventinëve, Marota, Mazia e Testa, të cilët premtojnë bashkëpunim
Shqipëria dhe Juventusi do të bashkëpunojnë në të ardhmen. Klubi i njohur do të ndihmojë federatën tonë në prapavijën e saj, pikërisht me asistencë mjekësore. Ishte presidenti i FSHF-së, Armand Duka që u takua dje me krerët më të lartë të Juventusit dhe drejtuesve të klinikës mjekësore JMedical. Vetë zyra e shtypit në FSHF bën me dije se: “Projektohet edhe një bashkëpunim shumë i afërt dhe shumë i ngushtë mes klubit kampion në Itali, Juventus F.C, JMedical dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Këtë të premte Presidenti i FSHF-së, Armand Duka është pritur në selinë e klubit të Juventusit nga dy administratorët e deleguar të klubit, Xhuzepe Marota dhe Aldo Mazia, si dhe gjithashtu në shoqërinë e administratorit të deleguar të JMedical, Elio Testa.
Takimi është fokusuar në shumë pika rreth mundësisë së bashkëpunimit të shpejtë mes FSHF-së, klubit të Juventusit dhe JMedical, duke u fokusuar në asistencën mjekësore që JMedical mund të ofrojë, jo vetëm përsa i përket ekipeve kombëtare, por të ketë një shtrirje në të gjithë futbollin shqiptar. JMedical është një nga klinikat më të mira në botën e sportit dhe të futbollit me një staf të shkëlqyer mjekësh sportive”, thuhet në njoftimin e FSHF-së. Sipas deklaratës për shtyp të federatës, vetë kreu i FSHF-së shprehu angazhimin e Federatës së Futbollit për të nisur sa më shpejt një bashkëpunim konkret. Ftesa për një vizitë në Tiranë në një kohë të përshtatshme u mirëprit edhe nga krerët më të lartë të Juventusit dhe pritet që së shpejti të konfirmohet marrëveshja e diskutuar.