Suksesi i dyfishtë në këtë sezon do të shoqërohet dhe me lamtumirat e disa prej veteranëve të këtij ekipi: Bufon, Markizio, Lishtajner, ndoshta dhe ndoshta edhe Kielini e Barzalji
Pas suksesit të katëert radhazi në kupën e Italisë, trajneri i Juventusit maks Alegri ka reaguar ashpër ndaj gazetarëve që i kanë kërkuar nëse cikli i këtij ekipi dhe atij vetë ka përfunduar. Alegri ka qenë i prerë: “Jo asgjë nuk ka mbaruar.” Por e vërteta qëndron disi më ndryshe nga çfarë e ka paraqitur trajneri i bardhezinjve. Një cikël i jashtëzakonshëm suksesesh po shkon drejt fundit. Fusha e blertë në “Olimpico” e ka thënë fort dhe qartë: Juventusi nuk ka asnjë rival në Itali. Barku plot me suksese apo uria e kundërshtarëve për trofe nuk vlejnë hiçgjë kur përpara janë Bufon me shokë: askush nuk e ka eksperiencën e tyre, askush nuk e ka kualitetin e tyre, askush nuk di të administrojë si ata momentet më delikate të një sezoni të gjatë e të lodhshëm.
Finalja e fituar dhe e dominuar plotësisht ndaj Milanit tregoi qartë se Juventusi nuk është spektakolar, por atëherë kur duhet i tregon vendin të gjithëve, një skuadër që di të vuajë, por që di dhe të përmbysë rezultateve atëherë kur të gjithë e japin për të mbaruar. Këto energji të pashtershme të Juves nuk janë rastësi, por janë të akumuluara ndër vite suksesesh. Gjithçka mban emrat e senatorëve Bufon, Kielini, Barzalji, kampionë me Konten, kampionë dhe me Alegrin.
Sipari – Por Juventusi po përgatitet për skenarë të rinj, që pritet të hapen pas pak javësh, pasi të jetë festuar dhe titulli i shtatë radhazi në Serinë A. Një skenar jo si gjithë të tjerët ai në Vinovo. Mbrojtja do të ridimensionohet patjetër, “BBC-ja” (Bufon-Barzalji-Kielini) do të humbasë një nga germat “B”, atë të Bufonit. Ndërsa dy qendrat e tjera Barzalji-Kielini duhen parë si një garanci “part time” për vetë moshën e tyre. Në portë stafeta do të kalojë nga Bufon tek Shezni, në mbrojtje do të afirmohen Rugani e Benatia. Për të mbërritur te lamtumirat. Bashkë me Bufonin pritet të largohet dhe Klaudio Markizio. Lishtajner e ka shpallur vendimin e tij për t’u larguar, të tjerë në horizont (Azamoah), të tjerë që mund të shiten (Aleks Sandro, Dibala e Manxhukiç). Edhe e ardhmja e timonierit të flotës bardhezi është në mëdyshje edhe pse ai vazhdon ta përsërisë se është i kënaqur në Torino.
Markizio – Bufon pritet ta shpallë lamtumirën e tij nga futbolli në pak ditë, sapo të ketë ngritur lart titullin e shtatë radhazi kapion në Itali. Shenjat janë të qarta. Por bashkë me të do të largohet dhe një tjetër figurë e rëndësishme e këtij Juventusi, Klaudio Markizio. Ka qenë vetë kapiteni Bufon, i cili ka dhënë një sinjal të qartë se me largimin e tij do të bashkohet dhe “Princi”. Jo më kot, Bufon ka zgjedhur që trofeun e kupës së Italisë ta ngrejë i pari Klaudio Markizio. Një sinjal i rëndësishëm miqësie ndaj një kampioni si Klaudio, i cili ka mundur të luajë fare pak në dy vitet e fundit si pasojë e dëmtimeve. Por dhe një sinjal i dytë që paralajmëron të ardhmen e Princit, që do të jetë larg bardhezinjve.