Nëse pasdite Milani bëri një figurë të shëmtuar ndaj Xhenoas, duke u justifikuar me kartonin e kuq marrë nga Bonuçi, Juventusi pak orë më vonë tregon pse është vite dritë larg kuqezinjve.
Kampionët në fuqi arritën një fitore të madhe 6-2 në Udine, që merr vlerë të veçantë sepse u arrit duke luajtur me 10 lojtarë prej minutës së 26-të, një “deja vu” e kartonit të kuq të Bonuçit, në të njëjtën minutë.
Ndryshimi është se Juventusi është një makinë perfekte, që jo vetëm nuk e pati problem të luajturit pa kroatin Manxhukiç, i ndëshkuar padrejtësisht me karton të kuq, pasi ra në zonë dhe iu dha karton për simulim, pastaj për ofendim.
Kur Udineze barazoi sapo nisi pjesa e dytë, u duk se Juventusi do të tronditej, por nga minuta e 52-të deri në fund Rugani, Kedira 2 herë të tjera (përveç golit në pjesën e parë) dhe Pjaniç në fund siguruan një fitore që vlen shumë, sidomos moralisht, pas dy ndeshjesh pa fitore në Serinë A.
Kreu duket më pranë dhe ky Juventus i vë frikën sërish Serisë A.