Zhgënjimi i Kupës së Botës do të mbetet, por për momentin Kristiano Ronaldo mund të ngushëllohet me pushimet dhe të shohë nga merkato. Deklarata “ishte bukur të luaja për Realin” pas triumfit të katërt në pesë vite me madrilenët në Champions dhe të tretit radhazi, hapi skenare të panumërt.
Mes klubeve që ëndërrojnë yllin portugez është edhe Juventusi. Në dukje një mision i pamundur, megjithatë kampionët e Italisë janë gati ta provojnë. Te bardhezinjtë shfrytëzuan ditën e vizitave mjekësore të Kanselos, për të diskutuar me menaxherin e tij, Zhorzh Mendesh edhe për Kristiano Ronaldon.
Mendesh u takua me Xhon Elkan, kushëririn e presidentit të Juventusit, Andrea Anjeli, që është kreu i kopmanisë Eksor, kasafortës së familjet. Një bisedë për të ëndërruar goditjen e madhe. Në parim, palët përcaktuan edhe strategjinë që mund te ndjekin.
Menaxheri Zhorzh Mendesh do të ketë deryrën të bindë presidentin e Realit të Madridit, Florentino Perez të ulë klauzolën e CR7, aktualisht e përcaktuar në një miliard euro. Juventusi nga ana tjetër është gati të investojë mbi 250 milionë euro, ndërsa studion mundësinë që në vitin e parë ta huazojë Kristiano Ronaldon dhe më pas të paguajë, ashtu si bëri Paris Seint Zhermen me Mbape.
Kampionët e Italisë do ti garantonin yllit portugez të njëjtën pagë si te Reali, por kontrata do të zgjatë deri ne vitin 2022. Misioni është i thuajse i pamundur, megjithatë Juventusi po e provon. E ndërkohë po bisedon me super menxherin Mendesh.