Pas Milanit, një tjetër emër shumë i madh i futbollit italian “zbarkon” në Shqipëri. Tani është radha e Juventusit, që prej kësaj të hëne, 23 korrik, do të sjellë brendin e saj në Tiranë.
Bëhet fjalë për “Juventus Training Club”, që ofron mundëinë e trajnimeve të specializuara të futbollit nga një prej ekipeve më të suksesshme në botë. Një mundësi e veçantë për tu njohur me metodat më modern të futbollit, ndoshta pse jo për të zbuluar talente edhe në Shqipëri.
Për pesë ditë me radhë, fëmijët e moshave nga 6 deri më 17 vjeç, qofshin djem apo vajza, do të kenë mundësinë të trajnohen nga një ekip i kualifikuar i kampionëve të Italisë. Të asistuar nga ekspertët shqiptarë, ata do të punojnë në fushat stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamzë.
Gjithçka është gati, me “Juventus Training Camp” që do të nisë me ceremoninë e hapjes prej orës nëntë të kësaj të hëne. Më pas fëmijët do të ndahen sipas grupmoshave dhe do të punojnë me trajnerët e bardhezinjve, duke shpresuar se Kristiano Ronaldo i ardhshëm mund të evidentohet pikërisht në Shqipëri.