Juventusi nuk ka të ngopur sepse ka një super skuadër, por ende nuk po e realizon misionin e triumfit në Champions League, ndaj fushata e përforcimeve do të vazhdojë me ritme të larta.
Pas blerjes nga Bajerni së brazilianit Douglas Kosta, i cili do të qëndrojë përfundimisht në Torino, tashmë duket se e ka radhën një ndër yjet e Serisë A, Sergej Milinkoviç-Saviç.
Vetëm 23 vjeç, mesfushori serb kaloi te Lacio tre vite më parë për 9 milionë euro nga Genku, një zbulim nga ata të zakonshmit për Igli Taren.
Tre sezone spektakolare dhe tashmë mesfushori kushton rreth 100 milionë euro sipas Lacios. A trembet Juventusi? Në asnjë mënyrë, është klubi më i pasur në Itali dhe strategjia e zakonshme është blerja e yjeve të rivalëve, siç ishte rasti i Gonzalo Higuainit nga Napoli.
Lacio e Juve nuk kanë pasur marrëdhënie të mira, por ditët e fundit Lotito është parë duke biseduar miqësisht me drejtorin sportiv të Juves, Marota. Mediat në Itali sigurojnë se mes tyre është rikthyer qetësia dhe Juve ka marrë garancinë se Milinkoviç-Saviç është në shitje dhe se bisedimet mund të nisin.
Lacio do 100 milionë, Juve ka disa lojtarë që mund t’i përfshirë në marrëveshje. Në rastin më të keq, kampionët e Italisë mund të mendojnë dhe shitjen e Higuainit, lojtar që ka treg, por edhe i gjendet lehtë zëvendësi.