Vazhdon turneu amerikan për disa klube të njohur europiane dhe mbrëmë Mançester Junajtid u përball me Kolorado Rapids në një miqësore të luajtur në San Fransisko. Zhgënjeu stadiumi, me rreth 30.000 tifozë në një stadium me mbi 70.000 vende, por natyrisht sfida të tilla nuk tërheqin shumë, pasi edhe Junajtid ishte pa shumë titullarë.
Lajmi i mirë për Zhoze Murinjon ishte se luajti dhe ishte në formë shumë të mirë Aleksis Sançez, i cili udhëtoi me vonesë për në Amerikë, për shkak të problemeve burokratike.
Lajmi i keq për Red Devils është se loja duket ajo e sezonit të shkuar, e ngadaltë dhe e parashikueshme, por justifikim është forma fizike ende larg optimale dhe mungesa e yjeve.
Junajtid kishte përballë Jahmir Hykën, titullar, por mesfushori kuqezi nuk është se la mbresa, në një ndeshje të vakët.
E nisi mirë Junajtid, që humbi rast të mirë me Bailin, ndërsa më pas asgjë. Në pushim u zëvendësuan të gjithë, por Junajtid nuk u përmirësua, sepse krijoi pak dhe në fund Kolorado i shkoi pranë fitores, duke goditur traversën.