Trajneri po i jap ngarkesë shumë të fortë lojtarëve. Seanca të tilla kanë qenë edhe para ndeshjeve miqësore. Të kuqtë drejt formës optimale
Trajnerët e huaj nuk kanë pasur shumë sukses në Shqipëri, kjo është një ndër shprehjet që përdoret rëndomë dhe masivisht. Natyrisht, jo të gjithë kanë qenë të një niveli të lartë, por italianët e fundit që kanë qenë në krye të “demave” kanë qenë cilësorë. Andrea Agostineli ka qenë i tillë, Adolfo Sormani po ashtu, ndërsa “timonieri” aktual Juliano duket se është në gjurmët e tyre. Jo për nga skemat, apo personaliteti, por për nga profesionalizmi që shfaq në stërvitje. Të flasësh me lojtarët e Partizanit në këto kohë duhet ta bësh para orës 21:30, pasi shumica e tyre janë gjumë pas kësaj ore. Urdhër? Jo, por lodhja dhe ngarkesa që po marrin në stërvitje. Trajneri Mark Juliano po i “masakron” duke i ngarkuar në maksimum. Kjo gjë nuk është ndaluar edhe gjatë ndeshjeve miqësore që kanë pasur në tokën italiane.
STËRVITJA – Trajneri Mark Juliano po zhvillon nga dy seanca në ditë. Ngarkesa është në maksimum, pasi siç tregojnë burime brenda grupit të kuq në Itali, skuadra po stërvitet nga 2 orë për një seancë stërvitore. Ka raste kur përgatitjet zgjasin edhe nga 2 orë e gjysmë. Kjo është një strategji e stafit teknik për t’i dhënë më të mirën skuadrës dhe për të kapur formën maksimale para fillimit të kampionatit. Një metodë e tillë po lodh shumë futbollistët që duhet të stërviten rreth 4 orë ose më shumë në ditë.
Paraqitja e dobët në ndeshjen ndaj Ternanës ka qenë edhe si rezultat i kësaj mënyre stërvitje. Ditën e ndeshjes, të kuqtë ishin stërvitur për rreth 2 orë paradite dhe më pas edhe lodhja gjatë rrugës ka ndikuar në paraqitjen e tyre. Gjithsesi, numri një i stolit nuk është i shqetësuar aspak për rezultatet në ndeshjet miqësore, por kërkon që të unifikojë skuadrën dhe të aplikohet loja që dëshiron ai.
FAZA PËRGATITORE – Partizani ka hyrë në pjesën e fundit të fazës përgatitore dhe pritet që edhe ngarkesa të ulet. Kjo duhet të jetë me patjetër për të ulur edhe ngarkesën në këmbët e lojtarëve. Fillimi i kampionatit duhet t’i gjejë “demat” në formën maksimale dhe të lehtë në këmbë. Kjo është edhe frika e vetme që kanë lojtarët në fund të kësaj faze përgatitore. Ata shpresojnë që fillimi i kampionatit të mos i gjejë të ngarkuar. Gjithsesi, duhet parë edhe programin që do të aplikojë stafi teknik në këto ditë të mbetura. Sipas informacioneve të shpërndara nga zyra e shtypit, dita e djeshme ka qenë përsëri e ngarkuar me dy seanca stërvitore. Partizani po stërvitet paradite dhe pasdite.