Trajneri i Partizanit, Mark Juliano, është paraqitur sot para gazetarëve, për të folur në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të ndeshjes së nesërme në Durrës, kundër Teutës (17:30). Trajneri italian është optimist dhe beson se skuadra po arrin formën optimale fizike, përveçse është më e qetë mendërisht, pas ndërprerjes së kampionatit. Goli mbetet problem dhe Juliano bën “mea culpa” për Çanin, duke pranuar se u nxitua me aktivizimin e tij, ndërsa shpjegon edhe lëvizjet në merkato, duke zbuluar një detaj të rëndësishëm për sulmuesin Soue, i cili përfundoi te Skënderbeu, edhe pse ishte një mundësi për Partizanin.
“Është një moment delikat dhe lojtarët janë të vetëdijshëm për situatën, por ne do arrijmë që të përballemi, me mënyrat tona, me ‘armët’ tona për të rikthyer skuadrën aty ku të gjithë e dëshirojmë. Kemi pasur diskutime një marrëdhënie dhe diskutime mjaft korrekte, edhe mbi disa manovra, ndryshime sa i takon aspektit teknik e taktik. Skuadra është e vetëdijshme se ka fuqi për t’iu rikthyer rezultateve pozitive. Të gjithë lojtarë kanë besim te forcat e tyre, dhe ajo që është e rëndësishme, për t’u rikthyer dhe gjetur golat që në takimin ndaj Teutës”.
Nëse nuk fitohet ndaj Teutës – “Nuk parashikoj dot se çfarë ndodh po nuk morëm rezultat ndaj Teutës. Kemi bërë disa ndeshje të mira, por na ka munguar goli. Kjo është gjëja që na preokupon. Jam këtu për të punuar dhe lojtarët për të marrë këshillat e mira. Duhet të përmirësojmë ato gjëra që nuk kemi bërë mirë në ndeshjet e fundit dhe ta pasqyrojmë në ndeshjet e radhës me Teutën. Përgjegjësia ime është t’i vendos lojtarët në kushtet më të mira të mundshme për të dhënë maksimumin e vet. Krijojmë raste, por nuk arrijmë t’i konkretizojmë, kjo është pikë ku duhet të përmirësohemi”.
Çani – “Diskutimi i Çanit është bërë i lodhshëm, nuk do flas më në të ardhmen. Djaloshi është një investim madhor i klubit. Ka pasur disa probleme riaftësimi, ndoshta kam pasur edhe unë gabimet e mia në aktivizimin e tij, por ai ka dashur të jetë pranë skuadrës, për ta ndihmuar. Skuadra ka pasur shumë nevojë për të dhe kemi vendosur së bashku me të që të luajë sa të ketë mundësi, 30-40 minuta. Më pas vendosëm që Çani të ndalej, sepse nuk ishte në maksimumin e vet dhe nuk duhej të nxitoheshim më kot. Më mirë të presim që të jetë 100%, që të jetë vendimtar. Derisa të mos jetë gati, nuk e aktivizoj dot, sepse pritshmëritë ndaj tij janë tepër të mëdha dhe nuk është e drejtë që të mbingarkohet me presion dhe kritika”.
Sukaj – “Xhevo është një lojtari veçantë, me shumë personalitet, një lojtar që mund të të ndihmojë dhe dëshiron ta ndihmojë skuadrën të shënojë. Ai po punon shumë në aspektin fizik, për të arritur formën optimale dhe për të ndihmuar për daljen nga ky moment i vështirë, ndaj e kam gjithmonë në konsideratë. Ka pasur momente kur nuk është stërvitur ashtu si dua unë, por të gjithë duhet të mendojnë për të mirën e skuadrës, për të nderuar fanellën”.
Teuta, ekip agresiv – “Është e vërtetë, Teuta është skuadër shumë agresive, ndaj do të duhet t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë, përndryshe teknika e taktika vlejnë pak. Do të përdorim armët tona për t’i bërë ballë Teutës, me forcën e grupit që kemi, grup që e di që duhet të jetë më “i keq”, më agresiv dhe me më shumë dëshirë se kundërshtari. Do të luajmë ndaj Teutës njësoj sikur të kemi përballë skuadrën më të fortë në botë, duke u mbrojtur me kujdes dhe duke goditur kur të na jepet rasti. Tani të presim verdiktin e fushës”.
Soue – “Është një lojtar që e kam pasur më parë në skuadër, në Itali. Tani po ecën mirë, kur e kisha unë kishte disa probleme, nuk mund të stërvitej në fushë me bar artificial. Duke qenë se Partizani stërvitet vetëm në bar sintetik, Soue do të kishte probleme. Nga merkatoja nuk do të ndryshoja gjë, do të ndryshoja vetëm rezultatet, po ta kisha në dorë. Asani? Po punojmë me të në aspektin fizik, sepse nuk ishte gati dhe i duhet një program stërvitor i veçantë, për t arritur formën maksimale. Është një lojtar shumë interesant dhe për momentin po luan me Partizanin B, për të kapur formën e vet më të mirë”.
Trajneri me mire qe ka drejtuar ne shqiperi. Duhet kohe te ambientohet.