“Ju lutem mos shënoni më”/ Kur tifozi i Interit i lutej Costacurtës, 19 vite nga koha kur Milani turpëronte zikaltrit në derbi

11 maji është një datë që çdo tifoz i Milanit dhe i Interit e ka të ngulitur në mendje, megjithëse ndjesitë që rizgjon te ta nuk janë të njëjta. Si sot 19 vite më parë Milani do të shkatërronte rivalin e përjetshëm në derbi me shifrat 0-6, duke e turpëruar përpara tifozerisë së vetë. Një humbje e thellë me shifra të tilla dhemb shumë, e aq më tepër kur vjen në një derbi. Ndeshja nisi me një gol të hershëm nga Comandini, i cili që në minutën e dytë i fali avantazhin kuqezinjve, ndërsa në të 19-n do të shënonte të dytin. I treti do të vinte nga Giunti, ndërsa në listën e golashënuesëve do të hynte edhe Shevchenko me dopietën e tij.

Por “djajtë” nuk do e ndalnin vrullin as në fundin e ndeshjes edhe pse tashmë zikaltrit ishin të gjunjëzuar prej rezultatit në fushën e lojës. Milani nuk mjaftohet me aq dhe në minutën e 81 Serginho tund rrjetën për herë të 6. Një numër i frikshëm ky për një skuadër si Interi, duke bërë që tifozët të mos e duronin dot një moment të tillë. Madje njëri prej zikaltërve lë tribunën e tij dhe hyn në fushë, ku i gjendur përballë Costacurtës i lutet këtij të fundit të mos shënonin më tepër. “Mjaft me kaq! Ju lutem mos shënoni më”, ishin fjalët e tifozit të Interit, që shprehnin qartë edhe dëshpërimin që të gjithë zikaltrit ndjenë në atë 90-minutësh, që padyshim është ai të cilin do të donin ta fshinin nga historia e Serie A./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *