Jovanoviç nuk zëvendësohet, shtohet puna për Milinkoviçin

Vështirë se presidenti Safet Gjici do t’i afrojë një tjetër ndihmës teknikut serb, i cili tashmë ka tre bashkëpunëtorë

Jurgen Zela

Nga ndeshja në shtëpi me Vllazninë, te transferta vlonjate. Duket një javë e gjatë për kuksianët, të cilët tashmë kanë një malore të lartë për të ngjitur. Përballë Flamurtarit janë të dënuar për të fituar, pasi një tjetër hap fals do të sillte furtunë në Kukës. Dy pikët e lëna në stadiumin “Zeqir Ymeri” nuk kaluan pa pasoja, pasi një nga ndihmësit e Mlladen Milinkoviçit u detyrua të merrte valixhet. Marko Jovanoviç ka lënë kampionët dhe ka konfirmuar “divorcin” me kuksianët.
PASUESI – Trajneri Milinkoviç, kur u afrua te Kukësi, pranoi të nënshkruante vetëm nëse bashkë me të do të afroheshin dhe ndihmësit e tij te Luftëtari. Me teknikun serb u afruan Vasil Papa në rolin e zëvendëstrajnerit, njëkohësisht edhe të përkthyesit. Po ashtu, nga Tirana u afrua Ivan Gvozdenoviç, i cili veç dëshirës së trajnerit, gjeti dhe pëlqimin e presidentit Gjici. Milinkoviç nuk mund të linte krahun e tij të djathtë, Marko Jovanoviçin, me të cilinë kishte punuar në Gjirokastër, kurse emri i fundit që u afrua nga 49-vjeçari ishte Nikola Stankoviç. Gvozdenoviç, ashtu si Papa, kanë rolin e zëvendëstrajnerit, Stankoviç rolin e përgatitësit atletik, ndërsa Jovanoviç merrej me prezantimin dhe analizat e kundërshtarëve para lojtarëve. Tani duket e vështirë që presidenti Gjici të afrojë një tjetër ndihmës për të mbuluar vendin e lënë vakant nga Jovanoviç. Në këtë mënyrë, do të shtohet puna për Milinkoviçin dhe ndihmësit e tij. Ajo që çudit më shumë është deklarata e presidenti Gjici, i cili foli me superlativa për punën e stafit teknik një ditë para ndeshjes me Vllazninë, megjithatë ka mjaftuar ai barazim për të humbur durimin dhe Jovanoviç është konsideruar i tepërt. Në fakt, stafi i Kukësit është i madh, pasi përveç të sipërpërmendurve, janë dhe dy trajnerë portierësh.
Në Vlorë duhen me patjetër 3 pikët që situata të normalizohet, por nuk duket aspak e thjeshtë. Largimi i Jovanoviçit duket si një mesazh i qartë edhe për pjesën tjetër të stafit, që duhet të jetë e kujdesshme. Bosi i Kukësit ka vënë si kusht fitoren në Vlorë dhe nuk është aspak e lehtë, duke parë momentin e mirë vlonjateve dhe gjendjen e Kukësit. Para së gjithash, stafi teknik duhet të punojë në aspektin psikologjik, një detyrë që e mbulonte pikërisht Marko, siç e thërrisnin në skuadër.
Presidenti Gjici gjithnjë këmbëngul se nuk përzihet në punën e stafit teknik, por trajneri Milinkoviç ka mbetur pa krahun e tij të djathtë dhe përballë Flamurtarit duket se duhet t’i bëjë shumë mirë llogaritë, që të mos ketë të njëjtin fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *