Josa zgjedh Skënderbeun përpara Tiranës, Gega: Nuk kam gjetur qytet më të mirë për të punuar, tifozët rrinin në të ftohtë për të parë stërvitjen

Mirel Josa ishte i ftuari i radhës për të bashkëbiseduar me Skënder Gegën në “Soccer Talk Podcast”. Dy ish-lojtarët e njohur kanë kujtuar momentet kyçe nga karrierat e tyre. I pyetur për ekipin në të cilin është ndjerë më komod për të ushtruar profesionin e trajnerit, Mirel Josa ka veçuar Skënderbeun, duke e zgjedhur përpara ekipit të zemrës, Tiranës.

“Për mendimin tim, te Skënderbeu kam qenë më komod se në të gjithë klubet e tjera. I dedikoj shumë Tiranës, se kam filluar karrierën time si trajner në atë klub. Ishte skuadër e mirë, skuadër e fortë. Por Skënderbeu, për mënyrën se si u organizua, cilësisë së futbollistëve dhe mënyrës së arritjes së qëllimeve të veta sportive, mua më ka dhënë shumë. Këtë e tregon edhe fakti i titujve që ka fituar skuadra”, ka thënë Mirel Josa.

Ndërkohë, një aprovim ka ardhur edhe nga Skënder Gega. Ky i fundit ka drejtuar për një periudhë të shkurtër ekipin korçar, gjatë së cilës ka mbetur mëse i kënaqur me mënyrën se si qyteti të krijonte rehatinë e nevojshme për të punuar për klubin.

“Nuk kam gjetur qytet më të mirë që të punoje. Unë dy muaj u izolova dhe tashë që do bëja më të mirën për atë qytet. Jo se unë do të bëhesha heroi i qytetit, por ma imponuan me zor, sepse ishte shumë rehat. Kur ika unë ishte i ftohtë i madh. 50 tifozë, në moshë pak të thyer, i kishe aty me xhup dhe çadër që shihnin stërvitjen. Në restorant nuk kishte një person që s’të respektonte. Një popull i respektuar, jo i ngutur, që nuk krijonte situata mosrespekti”, ka treguar Skënder Gega./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *