Quhet Johan Beçka, është vetëm 20 vjeç dhe deri tani nuk kishte luajtur asnjë ndeshje si profesionist. Në sezonin 2014/15 Skënderbeu e përfshiu në skuadër për një ndeshje kupe kundër Tërbunit, por pa e aktivizuar. Qendërmbrojtësi ka punuar e tentuar pa fund, ishte te Tirana në fazën e parë, por edhe aty asnjë hapësirë, ndaj preferoi të pranonte ftesën e Julian Ahmatajt, për t’u bashkuar me të te Burreli. Nuk ka lavdi e para si te Skënderbeu e Tirana, por ka minuta dhe rol protagonisti. Si në përralla, Beçka debutoi të dielën dhe shënoi golin e fitores 1-0 të Burrelit ndaj Besëlidhjes! Në këtë intervistë të shkurtër, Beçka na flet për veten, për karrierën e tij dhe aventurën me Burrelin, si dhe shpresat e së ardhmes.
– Johan, e ke nisur me gol te Burreli. E ëndërroje një start të tillë?
– Në fakt, kam shënuar shpesh në të shkuarën, pasi shfrytëzoj shtatlartësinë time në krose. Edhe kur isha pjesë e Skënderbeut, me të rinjtë, ku dolëm kampion, shënova disa gola.
– Na trego pak si ke mbërritur deri te Burreli.
– Jam rritur te moshat e Arisit në Selanik, më pas kam qenë për dy sezone te të rinjtë e Skënderbeut, një vit në Greqi tek Apollon Kallamarja dhe pastaj te Tirana, prej verës së shkuar. Te Tirana isha pjesë e ekipit të parë, por nuk gjeta hapësira.
– Si erdhi kalimi te ekipi matjan?
– Trajneri Julian Ahmataj u emërua te Burreli dhe më kontaktoi duke më ofruar një vend në ekipin që po rindërtonte. Pranova pa u menduar dy herë, sepse unë dua të luaj, nuk ka rëndësi emri i madh apo kategoria.
– Skuadër e rindërtuar, por start perfekt për Burrelin këtë vit.
– Po, skuadra është bërë thuajse nga zero dhe u lidhëm shumë më shpejt nga sa e prisnim. Luajtëm kundër Besëlidhjes, skuadër superiore në teori dhe me ambicie, por luajtëm më mirë dhe kërkuam të luanim futboll sulmues, siç na kërkon trajneri Ahmataj. Tifozët mbetën të kënaqur, besoj se kjo fitore i ka ngrohur shumë, sepse ishin të zhgënjyer nga ekipi në fazën e parë.
– Stërvitjet në Pezë-Helmës dhe ndeshjet në Burrel?
– E lehtë nuk është, stërvitemi në bar sintetik dhe luajmë në fushë me bar natyral, që nuk është në kushte perfekt, por pak a shumë kështu bëjnë të gjitha skuadrat.
– Synimi yt dhe i Burrelit?
– Unë dua të luaj sa më shumë, jam në një moshë ku më duhet të gjej minuta e të fitoj eksperiencë. Nuk vendos plane afatgjatë, nuk shoh aspektin financiar në këtë moment, thjesht dua të luaj. Sa për Burrelin, synimi është mbijetesa dhe jemi të gjithë shumë optimistë se do t’ia dalim të mbijetojmë. Jam i sigurt se do të mbijetojmë, sepse skuadra është cilësore, janë lojtarë mjaft të mirë, edhe pse skuadra sapo është ndërtuar. Skuadrat në Kategorinë e Parë nuk kanë shumë ndryshime nga njëra-tjetra dhe në ndeshjen e parë luajtëm mjaft mirë, ndaj nuk kemi frikë askënd, edhe pse Kategoria e Parë nuk është e lehtë, në çdo drejtim.