E mbani mend Adolfo Sormanin? E kush nuk me mban mend trajnerin karizmatik nga Italia që drejtoi Partizanin me sukses në Europë. 52-vjeçari arriti një sukses mjaft të madh me “demat”, pasi arriti të kualifikohej kundër Ferencvaroshit në Hungari. Gjatë kthimit për në shtëpi, “diktatori” italian u kërkoi të gjithëve të mos kalonin në delir, por të mendonin për ndeshjen e ardhshme.
Nuk e dinte Sormani i shkretë se në Shqipëri ka lindur shprehja ” mos fluturo me presh në b*thë”. Ashtu ndodhi, drejtuesit e klubit të kuq vendosen petkun e një klubi kampion dhe kishin kërkesa të jashtëzakonshme ndaj Sormanit. Harruan shpej se ishte italiani që arkëtoi në arkat e klubit më shumë se të gjithë trajnerët e tjerë të historisë së Partizanit së bashku. Në fund, italiani u tradhtua, pasi klubi pranoi t’i dilte kundër për Mentor Mazrekajn.
Po, po, Partizani vendosi më përpara mesfushorin problematik se trajnerin. Sormani nuk duroi më shumë dhe u largua si “dështak” nga Partizani pas humbjes me Kukësin në “Zeqir Ymeri” me rezultatin 1-0. Fati i mirë për të, pasi u largua te Vejle në Danimarkë. E mori ekipin në ligën e dytë daneze dhe së bashku me Ylber Ramadanin tani kanë kaluar në ligën e parë.
Vejle bëri dhe debutimin mes të mirave të Danimarkës me një fitore 3-1 kundër Hobros. Nuk kishte më mirë se kaq për Ramadanin dhe Sormanin. Ndeshjen tjetër e kanë kundër Brondbys jashtë fushe, një duel mjaft i vështirë për Sormanin dhe Ramadanin. Me kalimin e disa ndeshjeve, nëse arrin suksese, në Shqipëri do të fillojnë të dalin mbështetësit e mëdhenj të Sormanit, ashtu si ndaj trajnerit kroat. Fjalë të mëdha dhe historira të jashtëzakonshme, përralla me mbret, pasi të dy u larguan si dështakë! Kjo tregon se ne jemi të tillë, se mos na fyhen shumica…