Jeta në Kosovë, rasti Greca dhe largimi i ndihmësve! Duro i thotë të gjitha: Punoj nga mëngjesi në darkë, klubi nuk është i çmendur

Klodian Duro ka nisur një aventurë të re në Kosovë, ku ka marrë drejtimin e Feronikelit. Megjithatë kjo eksperiencë nuk është shoqëruar me rezultatet e pritura dhe si për të mos mjaftuar kjo, klubin nuk e kanë lënë të qetë edhe ngjarjet jashtë fushe. Dy prej ndihmës-trajnerëve janë larguar nga skuadra nga Drenasi, ku një prej tyre nuk ka folur fjalë të mira për ish-lojtarin e Kombëtares shqiptare, ndërsa futbollisti Greca është përfolur se ka ushtruar dhunë mbi një prej punonjësve të stadiumit.

Por të gjithë kureshtjen mbi këto tema e ka theyr vetë Klodian Duro, i cili ka dhënë në intervistë të gjatë për “Zëri.info”. Trajneri shqiptar tregon mënyrën se si mori drejtimin e Feronikelit, jetën në Kosovë, ecurinë e skuadrës dhe normalisht problemet që e kanë shoqëruar jashtë fushe për rastin Greca apo të largimit të ndihmës-trajnerëve./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Intervista e Klodian Duros për “Zëri.info“:

Çka ju shtyri t’i bashkoheni Feronikelit?

Duro: Siç e kam thënë edhe përpara, kam marrë një telefonat nga presidenti Naser Ramaj dhe normalisht nuk kam mundur ta refuzoja ofertën e tij, kështu që kam ardhur me kënaqësi dhe siç po e shihni jam shumë i kënaqur te Feronikeli.

Në Kosovë jeni shumë i adhuruar pasi që keni luajtur për Kombëtaren e Shqipërisë, a e ndjeni këtë gjë?

Duro: Sigurisht se po. Më bëhet qejfi dhe normalisht ndjehem mirë. E kam vënë re te të gjithë. Gjithë respektin që kanë treguar karshi meje dhe normalisht këtë gjë ta bënë vetëm futbolli.

T’i rikthehemi Feronikelit, sa jeni të kënaqur me aventurën te ky klub?

Duro: Sigurisht që jam shumë i kënaqur. Normalisht nga dita në ditë kemi arritur përpos lojës, lodhjes apo gjithçkaje, në fund ne e ndjejmë atë kënaqësinë e punës sonë. Kemi mundur të bëjmë më mirë. Nuk jam këtu nga fillimi. Vij në një sezon që kishte nisur dhe normalisht një punë është më mirë të niset nga fillimi. Është sikur puna e pacientit që ka probleme, sëmundjen është më mirë ta parandalosh se sa ta kurosh.

A keni pritur rezultate më të mira?

Duro: Kemi pritur rezultate më të mira dhe normalisht mendoj se duhet të kishim më tepër pikë në tabelë, por ato nuk i kemi për arsye të ndryshme. Nuk ka qenë e lehtë për futbollistët të ndërrohet trajneri, të vjen një trajner me ide të reja, me stërvitje të reja. Pandemia e ka bërë punën e saj edhe ju e shihni se kalendari i ndeshjeve ka qenë shumë i ngjeshur, çdo tre ditë nga një ndeshje. Normalisht për mua është edhe futbollistët kjo është e vështirë, pasi që në tre ditë nuk mundesh të punosh ato që ti kërkon nga ekipi. Ne kemi bërë ndeshje të mira me skuadrat që kryesojnë tabelën e Superligës. Me Ballkanin kemi qenë në avantazh në minutën deri në minutën e 95-të pas daljes me karton të kuq të Bojkut, rezultati është barazuar. Në Gjilan kemi bërë një super-ndeshje dhe kemi përfunduar në barazim. Na është anuluar një gol super i rregullt i Malajt. Ajo çka ndodhi në Gjilan ndaj Dritës të gjithë e panë. Nëse do të pranohej goli jonë i rregullt, do të ishte rezultati 2:0 dhe ndeshja do të merrte kahje tjetër. Unë nuk jam nga ata që justifikohen apo qahen, por sigurisht ne jetojmë në Kosovë, luajmë në Superligën e Kosovës dhe ju po e shihni që nga java në javë ka shumë gjëra për t’u rregulluar në mënyrë që gjithë futbolli kosovar të jetë më i bukur dhe më i shikuar.

Javët e fundit janë përfolur shumë probleme te Feronikeli, pse u larguan ndihmës-trajnerët Avni Hasani dhe Ramiz Dervishi?

Duro: Kjo pyetje mund t’i bëhet klubit dhe personave në fjalë. Unë nuk jam këtu për të larguar ndonjë njeri por jam për të punuar. Nga dita e parë kam punuar nga mëngjesi deri në mbrëmje me përkushtim dhe do të vazhdoj ta bëjë këtë pasi që kjo është profesioni dhe puna ime. Unë nuk largoj njeri dhe nuk marrë njeri. Normalisht mund të vija që në fillim me gjithë stafin tim dhe të punoja me stafin tim dhe nuk do të kishte asgjë në mes. Unë ua kam thënë të gjithëve në klub se çdo njeri kokën e vet e ka mbi supet e veta dhe është përgjegjës për punën e vet.

Avni Hasani ka deklaruar se nuk jeni i ngritur profesionalisht, madje ka thënë se keni probleme mentale, si i komentoni këto deklarata?

Duro: Është mendimi i tij dhe unë e respektoj mendimin e tij.

Po Ramiz Dervishi, pse u largua?

Duro: Këto janë punët tona, punët e klubit. Unë e thashë përpara se unë nuk largoj njeri, por secili e largon veten e vet.

Në medie ka qarkulluar një lajm se futbollisti Bedri Greca e ka rrahur ekonomin e klubit. A është suspenduar Greca, cila është e vërteta rreth kësaj?

Duro: Këto janë gjëra që ne i mbyllim brenda klubit, siç edhe e mbyllëm. Atje ku punohet ka edhe gabime, jo vetëm te ne, por edhe tek të gjitha klubet e mëdha evropiane. Kudo që punohet do ketë këso gjërash. Më e mira është që gjërat të mbesin brenda klubit. Nëse ka ndonjë arsye për ata që ju përmendët përpara që janë larguar është sepse gjërat e shtëpisë rrinë brenda, nuk dalin jashtë.

Së fundmi janë suspenduar gjashtë futbollistë, Alban Pnishi, Viktor Kuka, Argjend Bardhi, Santos dhe Ozbej Kuhar. Pse?

Duro: Edhe këtë pyetje mund t’ia bëni klubit. Unë nuk suspendoj njeri. Unë jam punëtor për vete, punoj siç punojnë edhe futbollistët, këto vendime janë të kryesisë së klubit.

A ka gjasa që ata të rikthehen në ekip. A e merrni ju vendimin apo kryesia e klubit për lojtarët që juve si trajner mund të ju nevojiten?

Duro: Ne funksionojmë si një klub futbolli korrekt. Gjithë vendimet janë të kryesisë së klubit. Ky nuk ishte vendim që erdhi nga unë. Ky është vendim i klubit. Klubi nuk është i çmendur të mos mbajë futbollistët që duhen apo futbollistët që kanë dhënë gjithçka në fushën e lojës apo në punën e tyre. Ky është vendim i tyre që ata e kanë gjykuar në një kohë, përfshirje të gjerë. Jo vetëm për ata, por për të gjithë futbollistët që janë këtu janë marrë vendime, kjo i përket klubit tonë.

A synoni përforcime në afatin e janarit dhe në cilat pozita ka nevojë skuadra juaj për transferime?

Duro: Për momentin unë jam i kënaqur me gjithë futbollistët që po punoj aktualisht. Normalisht se çdo ekip në botë ka nevojë për përmirësime. Kur të përfundojnë këto ndeshje do të ulemi qetësisht dhe kemi kohën në dispozicion për të menduar se ku kemi nevojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online