Skënderbeu ka arritur që të fitojë finalen e dytë radhazi të mbijetesës. Pas triumfit kundër Bylisit, korçarët ia dolën edhe ndaj Kastriotit në shifrat 0-2. Këtë herë korçarët do të ndeshen ndaj kryesuesëve aktual të Superiores, Partizanit.
Por trajneri Memelli i barazon vlerat e të dyja ekipeve për t’i dhënë më shumë besim futbollistëve që të dalin me rezultat pozitiv kundër të kuqëve. Kur pyetet në intervistën e dhënë për “Top Channel” në lidhje me objektivat e vendosura në këtë moment, Memelli ka bindjen se Skënderbeu do të qëndrojë në Superiore dhe më pas do të fitojë Kupën kundër Vllaznisë.
“Kemi punuar në aspektin psikologjik me lojtarët duke i bindur se gjëra mund të përmirësohen. Atëherë pësonim shumë gola dhe futbollistët nuk ishin të bindur në aftësitë e tyre. Tani e kanë kuptuar se nëse na dëgjojnë edhe pak ne si staf atëherë vijnë rezultatet pozitive.
Partizani? I vendosim pozitat tona si të barabarta me kundërshtarin. E respektojmë shumë Partizanin, por respektojmë edhe veten tonë. E dimë se do të luajmë kundër ekipit që po kryeson kampionatin shqiptar dhe është shumë cilësor. Por ne na duhen pikët për mbijetesë.
Kam bindjen se Skënderbeu do të qëndrojë në Superiore për të shkuar në finalen e Kupës. Nëse e kemi siguruar mbijetesën, atëherë do të shkojmë më të relaksuar për ta fituar ndeshjen”, u shpreh Memelli. /Sport Ekspres/