Java e 19-të e kampionatit të femrave, njihuni me sfidat më interesante

Kampionati i femrave është futur tashmë në zonën e nxehtë, ndërsa kanë mbetur vetëm tre javë nga fundi i këtij edicioni. Të gjitha ndeshjet e javës së 19-të do të luhen këtë të shtunë, ku spikat derbi i kryeqytetit Tirana – Tirana AS. Vajzat bardheblu u ndalën javën e kaluar nga Murlani, duke pësuar kështu humbjen e parë të sezonit, ndërsa Tirana AS vjen pas humbjes me Teutën. Ndeshja do të zhvillohet nesër në kompleksin “Skënder Halili” në ora 16:00.

Apolonia rikthehet të luajë pas pushimit të ekipeve kombëtareve dhe javës pushim të përcaktuar në kalendar, teksa do të përballet me Kinostudion. Fieraket do të kërkojnë patjetër të fitojnë me kusht që të jenë ende në garën për titull. Sfida do të luhet në Kamëz në ora 12:00.

Vllaznia vijon të mbetet në vendin e parë, teksa në këtë edicion nuk ka pësuar asnjë humbje. Në sfidën që do të zhvillohet nesër në Shkodër në ora 15:00, kampionet në fuqi do të përballen me skuadrën e Teutës, që javën e kaluar mori një fitore të vyer ndaj Tirana AS.

Dy sfidat e tjera të javës do të jenë Partizani – Murlani, një ndeshje e fortë në letër për të dyja ekipet, që vijnë nga dy fitore respektive ndaj Skënderbeut dhe Tiranës. Kjo sfidë do të luhet në ora 10:00 në QSK Kamëz, ndërsa ndeshja tjetër e javës do të jetë ajo mes Lushnja – Atletik Club. Myzeqaret renditen në vendin e fundit me vetëm 3 pikë, teksa kanë zhvilluar një kampionat jo fort të mirë, ndërsa shkodranet e Atletik Club do të kërkojnë të marrin një fitore, për të kërkuar më pas një vend më lart në renditje.

Ndeshjet e javës së 19-të:

E shtunë, Partizani – KF Murlani, ora 10:00

E shtunë, Kinostudio – Apolonia, ora 12:00

E shtunë, Lushnja – Atletik Club, ora 14:00

E shtunë, Vllaznia – KF Teuta, ora 15:00

E shtunë, Tirana – Tirana AS, ora 16:00

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *