Konfirmohet formacioni i publikuar dje nga gazeta. Trajneri Daja konfirmon se skuadra do të zbresë në fushë me skemën 4-3-3
Nuk ka më dyshime. Trajneri Daja nesër do ta bëjë të ditur formacionin zyrtar, por tashmë është e qartë si do të luajë Skënderbeu në Beograd ndaj Partizanit vendas. Lajmi i mirë është se mbrojtësi Bajram Jashanica ia ka dalë ta lërë pas dëmtimin dhe është bashkuar me grupin. Madje, ai është provuar direkt në formacion, sepse Tefik Osmani ende nuk është në formën e tij optimale. Lajme të mira vijnë edhe për dy lojtarë të tjerë të Skënderbeut, edhe pse nuk janë edhe ata në 100% të formës së tyre. Bëhet fjalë për Bruno Ditën dhe Bakari Nimagën. Të dy futbollistët janë munduar të futen dje në ritmin e skuadrës dhe e kanë përballuar deri diku, por nesër maksimumi do të jenë në stol. Sigurisht që trajneri Daja nuk do t’i sakrifikojë dhe ndonjëri prej tyre mund të jenë edhe në tribunë.
FORMACIONI – Një ditë përpara se Jashanica të rikthehej, alternativë për formacionin ishte Osmani, por me kthimin e kosovarit qendra e mbrojtjes do të jetë të dhe me Radasin. Krahët e këtij reparti do të jenë me Vangjelin dhe Micin, në portë Shehi. Mesfusha do të jetë më e shpejtë për korçarët, teksa Daja ka zgjedhur pikërisht këtë variant për të pasur lojtarë që vrapojnë shumë. Lilaj do të bëjë organizatorin, ndërkohë që Taku dhe Muzaka do të jenë në ndihmë të tij dhe të sulmit. Këtë herë rikthehet në formacion Enis Gavazaj, i cili është në formë dhe do të vendoset në krahun e djathtë të sulmit, në të majtë do të jetë Xhejms Adeni dhe Ali Soue në majë. Ky është formacioni i nesërm i Skënderbeut në Beograd, por duhet pritur edhe stërvitja e sotme për të thënë fjalën e fundit.
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut
Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Taku, Lilaj, Muzaka – Gavazaj, Soue, Xhejms