Jashanica firmos për barazim: Do të sulmojmë dhe në Kroaci

Për mbrojtësin, Dinamo e Zagrebit mbetet një kundërshtar shumë i fortë, por nuk është e pamundur që skuadra korçare të shkojë në grupe

Leonard Trebicka

“Me një barazim do të jemi të kënaqur në Zagreb, në ndeshjen e parë, por kjo nuk do të thotë se do ta presim Dinamon në mbrojte, do të bëjmë lojën tonë”, – ka theksuar për “Sport Ekspres” mbrojtësi me përvojë i Skënderbeut, Bajram Jashanica, i cili, si edhe pjesa tjetër e ekipit, beson shumë që këtë herë ka më shumë shanse ndaj kroatëve.

PËRGATITJET – Kosovari i Skënderbeut, Bajram Jashanica, duke folur për përgatitjet anti-Dinamo, shprehet se grupi është në formë mjaft të mirë sportive: “Kemi pasur më shumë kohë këtë herë të përgatitemi për raundin e “play-off”-it, për shkak se ka qenë një javë pushim. Jemi çlodhur disi më shumë dhe tani që po i afrohemi ndeshjes grupi po shkon vërtet mirë. Jemi rikthyer të gjithë, flas për ata që patën probleme dëmtimi dhe kjo na gëzon, pasi nuk do të kemi asnjë mungesë. Personalisht, pata një problem me kavilen, por tani nuk ndjej më dhimbje. Dua të shtoj se jam në formë të mirë dhe atmosfera në skuadër është e lartë. I kemi vlerësuar maksimalisht seancat, sepse tani është pjesa më e vështirë. Luajmë në raundin e “play-off”-it dhe kualifikimi është baras me grupet e Europa League. Optimizmi nuk mungon në asnjë moment te ky Skënderbe.”

DINAMO ZAGREB – Jashanica ka folur edhe për Dinamon e Zagrebit, kundërshtarin e fortë të korçarëve: “E dimë shumë mirë se janë një ekip shumë i fortë. Gjithsesi, nuk do të shkojmë të dorëzuar në Zagreb, por jemi të bindur se do të zbresim në fushë për të marrë një rezultat sa më pozitiv. U ndeshëm me Dinamon para dy viteve dhe u mposhtëm, por tani nuk janë aq të fortë. Dinamo e Zagrebit nuk është një skuadër e pamposhtur dhe do të bëjmë ç’është e mundur të tregojmë se jemi një skuadër me shumë përvojë tashmë në Europë. Kemi synime madhore.”

SHANSET – Skënderbeu në fakt ka më pak shanse të kualifikohet, kjo dihet, por mbrojtësi kosovar thotë gjithçka është e barabartë: “50% me 50% janë shanset e kualifikimit ndaj Dinamo së Zagrebit. Ne kemi bërë mirë në Europë gjatë këtyre viteve dhe kjo tregon se dimë të përballemi edhe me skuadra të mëdha, siç është Dinamo e Zagrebit. Siç i kanë ata shanset, i kemi edhe ne. Do të dimë t’i zgjidhim edhe këtë herë situatat. Pavarësisht ndeshjes së parë, mendoj që gjithçka do të vendoset në “Elbasan Arena”. Në Kroaci duhet të jemi të sa më të kujdesshëm dhe të mos i lëmë hapësirë kundërshtarit. Nëse do të zbatojmë detyrat, besoj se do t’ia dalim. Edhe me një barazim do të kënaqeshim në Zagreb në ndeshjen e parë, por nuk do ta presim Dinamon në mbrojte, edhe do të sulmojmë.”   

SHPËRBLIMI – Së fundi, “Jasha”, siç e thërrasin të gjithë në Korçë, komenton edhe premion prej 200 mijë eurosh, që ka caktuar presidenti Ardjan Takaj për kualifikimin e mundshëm: “Është një premio e kënaqshme. Skënderbeu ka pasur premio të tilla të mëdha, siç patëm para dy viteve 500 mijë euro, por atëherë pretendonim grupet e Champions League. Sigurisht që kjo na nxit edhe më shumë, por më e rëndësishme është të fitojmë dhe të kualifikohemi për të mirën e këtij ekipi. Moralisht, nëse do të ndodhë, do të kënaqemi shumë herë më shumë se për premion. Gjëra të tilla na japin më shumë besim që në Zagreb dhe në Elbasan një javë më vonë të japim gjithçka kemi,” – përfundon mbrojtësi i qendrës së Skënderbeut, Bajram Jashanica.   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online