Bajram Jashanica ia ka hedhur paq. Dy javë jashtë fushave do të qëndrojë mbrojtësi kosovar, pasi kjo është përgjigja e rezonancës së bërë në kryeqytet. Dje paradite Jashanica është paraqitur në spitalin “Salus”, ku ka kryer rezonancën në pjesën e shpatullës. Një ditë më parë kosovari u dëmtua pas një përplasjeje në tokë në ndeshjen me Vllazninë. Bëri një eko në Korçë të dielën, ndërsa dje bëri edhe rezonancën në Tiranë. Rezultoi vetëm shembje dhe jo thyerje e klavikulës, siç dyshohej në momentin e parë. Pra, mund të konsiderohet përgjigje pozitive, sepse e rëndësishme është që Jashanica nuk ka thyerje, që do të thoshte shumë javë jashtë fushave. Vetëm dy javë mungesë është një lajm i mirë për stafin e Skënderbeut. Ndaj Flamurtarit në Vlorë dhe Kamzës në Korçë, Jashanica nuk do të jetë gati. Shpresat janë që mbrojtësi të rikthehet ndaj Dinamos së Kievit, në ndeshjen e pestë të grupit B të Europa League, që është planifikuar të luhet më 23 nëntor.