Jashanica drejt Hungarisë, gati të bashkohet me Latifin

Mbrojtësi kosovar është në rrugën e Liridon Latifit. Ai pritet të kalojë Akademia Pushkash, pasi marrëveshja mes klubeve është shumë pranë

Transferimi i radhës i një lojtari të Skënderbeut duket se do të ketë të njëjtin destinacion me atë të fundit, Hungarinë. Mbrojtësi Bajram Jashanica, njëri nga titullarët më të lakuar për largimin nga korçarët, është gati të bashkohet me Liridon Latifin, i cili kaloi në verë tek Akademia Pushkash. Burime pranë “Sport Ekspres” bëjnë të ditur se marrëveshja mes dy klubeve është shumë pranë dhe Jashanica do të jetë shitja e radhës për klubin korçar. Një lajm i mirë dhe i keq njëkohësisht për klubin dhe tifozët bardhekuq. I mirë në aspektin financiar, pasi me këtë lëvizje shtohen të ardhurat në arkën e klubit dhe i keq, sepse Skënderbeu humbet një nga lojtarët më të mirë titullarë, kur dihen vlerat e mbrojtësit kosovar. Kuptohet që lajm shumë i mirë është për vetë lojtarin, i cili përfiton shumë.

Edhe vetë Jashanica e ka pohuar në daljet e tij publike disa herë se do të lërë shumë shpejt kampionatin shqiptar për një skuadër të huaj. Dhe në këtë rast duket se oferta më konkrete është ajo e hungarezëve të Akademisë Pushkash, ashtu si rastin e Latifit. Presidenti Takaj e ka menduar mirë dhe kuptohet që tendenca është për të shitur lojtarë jashtë vendit, edhe pse ekipi mund të dobësohet disi, por jo aq sa mund të vërë në diskutim objektivin e sezonit. Disa herë është thënë se, nëse ikën një lojtar, ai do të zëvendësohet menjëherë me një tjetër. Për momentin, Skënderbeu ka të gatshëm për qendrën e mbrojtjes Radasin, Alitin dhe Osmanin, i cili është aktivizuar më shumë në mesfushë, por klubi mund të ndërhyjë për të afruar një tjetër lojtar për prapavijën, nëse me Jashanicën mbyllet gjithçka me sukses. Trajneri Ilir Daja e ka llogaritur titullar qendërmbrojtësin kosovar për ndeshjen e sotme me Luftëtarin në Gjirokastër. Sigurisht, zërat e merkatos ndikojnë, por Jashanica është një profesionist dhe do të japë maksimumin për Skënderbeun për sa kohë do të ketë veshur fanellën e tij.

Akademia Pushkash është një skuadër mesatare për momentin në elitën e futbollit hungarez. Mban vendin e 8-të në tabelën e renditjes me 23 pikë, por drejtuesit e saj kanë si synim të investojnë për të ardhmen, ndaj dhe po afrojnë lojtarë me kualitet për të pasur një grup sa më të mirë në vazhdim. Skënderbeu ndërkohë vazhdon me politikën e shitjes së lojtarëve dhe Jashanica është e radhës, pas Piter Olajinkës, Bernard Berishës, Agim Zekës dhe Liridon Latifit. Mbetet të mësohen më shumë detaje për rastin e Jashanicës, kryesisht për shumën që do të përfitojë klubi korçar nga shitja e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online