“Janë si Mimoza Llastica”, përfaqësuesi i Qeverisë lë pezull Superioren: Nuk ka zgjidhje, Rama nuk është Zeusi

Bojkoti i Kategorisë Superiore do të vazhdojë, teksa kërkesat e paraqitura nga klubet ende nuk janë realizuar. Liga Profesioniste refuzoi ftesën e Fidel Yllit për bisedime, duke bërë të qartë se janë të gatshëm të ulen në tryezë vetëm me Kryeministrin Edi Rama.

Por duket se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur. Negociatori i Qeverisë, Fidel Ylli, lë pezull Superioren dhe në një intervistë për “Sport News” në “News 24” thekson se ai së bashku me grupin e punës janë ngarkuar për të zhvilluar bisedimet, ndërsa kryeministri do të vendosë në fund, pasi sipas tij Rama nuk është Zeusi që të zgjidhë situatat.

“Kryeministri s’mund t’i takojë ata pa negociata me grupin e punës. I bie sipas tyre që Shqipëria s’ka ministra, këshilltarë, drejtora. Pra i bie që vetëm Rama të negociojë, dhe vendi të marrë tatëpjetën. Kryeministri ka barrë të madhe, aq më tepër që kemi të bëjmë me pandemi, tërmet, biznese që kanë nxjerrë në rrugë punëtorët. Por kjo qeveri gjithsesi ka krijuar një grup kaq të fuqishëm. Dhe ne do negociojmë dhe në fund vendos kryeministri.

Në momentin që këta kanë bënë kërkesën, kryeministri pavarësisht se ka qenë i okupuar më thirri të premten në takim. Diskutuam gjatë për të gjithë problemet. Ne si mazhorancë kemi qejf të nisim me sportet. Janë ende me borderotë e Enver Hoxhës, bashki që kanë ekipet në varësi. Duhet momenti që të vijë reforma. U bë ligji për dhunën, i sportit, sponsorizimeve. Ligje si rrallë ndonjëherë. Këtë radhë e kemi seriozisht që do bëjmë ndryshim radikal në sport. Jemi me stadiume bosh.

Të gjithë jemi të dëshiruar të kthehet futbolli në fushë. Nuk më shqetësojnë grevat dhe protestat sepse jemi në demokraci. Por më shqetëson që ekipet janë në kualifikuese. Pa bisedime s’ka zgjidhje. Rama s’është Zeusi që zgjidh situatat, ai vendos në fund. Nuk mund të shpalos tani çfarë kemi diskutuar. Jemi në debate ende, ku do tolerojmë, ku do shtrëngojmë. Ata bëjnë si Mimoza Llastica, por do i këshillojë mos politizojnë Ligën Profesioniste. Aty ka kryebashkiakë të majtë dhe të djathtë. Boll me ndarje politike, ta fusni në kanale politike. Ne jemi të gatshëm t’i japim zgjidhje që nesër”, është shprehur Fidel Ylli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *