Kastriot Dermaku është larguar nga Parma duke u rikthyer përsëri në radhët e Leçes, me të cilët luajti i huazuar sezonin e shkuar. Verdhekuqtë e kanë pritur mjaft mirë mbrojtësin shqiptar dhe kanë treguar besimin e madh që kanë në aftësitë e tij, pavarëisht se vitin e shkuar dëmtimet e kufizuan të tregonte gjithë vlerat e tij në fushë.
Drejtori sportiv i Leçes, Trinçera, e njeh mjaft mirë që nga periudha kur të dy ishin pjesë e Kosencës, për këtë arsye ka këmbëngulur për ta transferuar nga Parma. Për mediat Trinçera trgon lidhjen e madhe që të dy kanë me njëri-tjetrin, ndërsa shton se Dermaku do i japë një dorë të madhe skuadrës së Leçes në sezonet e ardhshme.
“Kastrioti është kthyer nga sezoni i kaluar me pak fat për shkak të një dëmtimi që e pengoi atë të tregonte potencialin e tij. Unë jam i lidhur me të, kam ndarë dy sezone të shkëlqyera me të në Kosenca. Ne jemi të lumtur që e kemi sjellë përsëri në Leçe. Është një djalë që nga pikëpamja njerëzore dhe teknike mund të na japë një dorë të madhe. Ai ka një dëshirë për hakmarrje, një motivim shumë të fortë. Shpresoj se ai mund të bëjë gjëra të mëdha”, ka thënë Trinçera./Halit Delibashi-Sport Ekspres/