“Jam shqiptari që ka arritur më lart në Serie A”, Gjimshiti tregon me krenari: Në Shqipëri tani bëjnë tifo për Atalantën

Berat Gjimshiti ka pësuar një ngritje të jashtëzakonshme në nivelin e tij. Nga kampionati zviceran në fillimet e karrierës së tij, tashmë mbrojtësi shqiptar është pika kyçe e Atalantës më të mirë në historinë e saj. Përpos renditjes në top 4-shen e Italisë, bergamaskët kanë bërë edhe një ecuri fantastike në Champions League vitet e fundit.

Në një intervistë për “L’Eco di Bergamo”, Gjimshiti pranon me krenari se ndihet se është shqiptari që ka arritur më lart në Serinë A. Futbollisti i Kombëtares kuqezi tregon gjithashtu se tashmë në Shqipëri kanë edhe Atalantën si një zgjedhje për të bërë tifozeri dhe kjo i jep një kënaqësi të madhe.

“Reja gjithmonë flet shumë për Atalantën kur unë jam larg në Kombëtare dhe gjithmonë flet shumë mirë për të. Ai vazhdimisht më pyet se si po shkojnë gjërat, çfarë ndodh, si është grupi. Mbeti shumë i lidhur me mjedisin, ishte shumë i lumtur këtu.

A e ndjej se jam shqiptari që kam përfunduar më lart në Serinë A? Po, ndihem krenar për këtë. Këtë e kuptoj kur kthehem në shtëpi. Në Shqipëri të gjithë e ndjekin futbollin italian, por dikur Atalanta nuk ishte aq e njohur. Tani shumë e kanë zgjedhur atë si ekip të dytë dhe më thonë se ajo luan futboll të mirë. Një kënaqësi e madhe”, ka thënë Berat Gjimshiti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *