E mërkura do të japë përfundimisht verdiktin sa i përket titullit kampion të Kategorisë Superiore. E gjithë vëmendja është kthyer nga Apolonia, ku tifozët dhe gjithë opinioni sportiv ka kërkuar një lojtë të ndershme deri në fund. Këtë e ka pranuar edhe presidenti Kokëdhima në një intervistë në emisionin “Skaner”, por e gjitha kjo situatë nuk i ka pëlqyer aspak Sulejman Starovës. Drejtori teknik i Teutës është shprehur në studion e “Skaner” se ndihet i ofenduar për faktin se vëmendja është kthyer vetëm te përballja Teuta-Apolonia, në një kohë kur janë edhe dy sfida të tjera vendimtare për titullin kampion.
“Jam pak i ofenduar. Është normale që tifozët shkodran t’i drejtohen Koço Kokëdhimës. Kjo do të thotë se shiko se Teuta mund të presë favore. Unë po them se çfarë po dëgjoj. Kam 30 vite që shoh mediat të ndryshme europiane, nuk nxjerrin që tifozët e një krahu i luten një klubi. Nuk ngelemi që t’i presim favore të tjerëve. Se ndryshe do të ishte bërë edhe me Pashk Laskën në Shkodër se çfarë mendon, se çfarë mendon Bylisi për ndeshjen me Partizanin. Teuta është grumbulluar dhe ka një ndeshje si në “Champions League”. Po aludohet sikur a do të na lërë Apolonia ne. Nuk del një president që të betohet, nuk ndodh në asnjë vend të botës. Ju po e bëni sikur e keni të sigurt me Laçin, shihni Laçin njëherë. ”, ka thënë Starova. /Sport Ekspres/