Votimet për Topin e Artë kanë hasur kundërshti të madhe në opinionin sportiv. Forma e jashtëzakonshme e Robert Levandovski në dy vitet e fundit ka bërë që shumë njerëz të futbollit të ishin të idesë se trefeu duhej të shkonte pikërisht në duart e polakut. Por në fakt ishte Mesi ai që fitoi Topin e Artë për herë të shtatë në karrierë. Një vendim ky që nuk e befason aspak Tomas Mylerin, nisur nga fakti se në vitin 2013 diçka e ngjashme ndodhi edhe me Frenk Riberinë. Lojtari bavarez vlerëson Mesin si një nga futbollistët më të mirë që ka njohur bota e futbollit, por nga ana tjetër thekson se këtë herë Topin e Artë e meritonte Levandovski.
“Nga këndvështrimi bavarez, polak dhe gjithashtu gjerman, rezultatet e Topit të Artë ishin padyshim një zhgënjim, dhe për disa ndoshta edhe më shumë. Megjithatë, unë jam në këtë biznes për një kohë të gjatë dhe për këtë arsye nuk u befasova prej tyre (një gjë e ngjashme i ndodhi Frenk Riberisë në vitin 2013). E gjithë kjo më bindi se ne kemi lojtarë vërtet të mëdhenj në Bundesligë. Megjithatë, për të fituar njohje në botë, nevojitet sukses ndërkombëtar. Lionel Messi është ndoshta lojtari më i mirë që ka prodhuar ndonjëherë futbolli. E përgëzoj për fitimin e Topit të Artë, por mendoj se këtë vit Robert Levandovski e ka merituar më shumë”, ka thënë Tomas Myler./Elio Hajdari-Sport Ekspres/