Ndeshja me bardheblutë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë dyshohet për kurdisje, prandaj skuadrat duhet të japin versionet e tyre për këtë çështje. Komisioni i Etikës ka nisur nga puna dhe sot janë paraqitur për të dhënë dëshmitë e tyre presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, trajneri Dovedan dhe futbollisti Goxhaj, i cili humbi atë 11 metërsh në sekondën e fundit kundër Tiranës.
Pasi ka thënë fjalën e tij përpara Kosisionit të Etikës, Kapllanaj është prononcuar edhe për mediat. Numri një i Bylisit shprehet se ekipi i tij është i pastër nga e gjithë kjo histori. Ai thekson se ndeshja u fitua me meritë, madje mund të arrihej edhe një rezultat më i thellë. I pyetur në lidhje me deklaratat e Licit, i cili pretendon se Kapllanaj ndërhyn te arbitrat, presidenti i klubit mallakastriot përgjigjet me fjalët se administrator i Vllaznisë është me dy fytyra.
“Nuk mendoj se kishim ndonjë gjë për tu mbrojtur. U pyetëm dhe dhamë shpjegimin tonë. Shpjegimi ishte atje dhe mund ti merrni atje. Gjithmonë kemi nga 10 persona në tribunë nëpër çdo ndeshje të Bylisit. Pastaj se cilët persona vijnë me Tiranën dhe e duan apo jo këtë skuadër, duhet ti zgjidhin ata. Ne jemi të pastër, të hapur, jo vetëm sot, por gjithmonë. Nga fillimi i kampionatit dhe deri tani nuk mund të baltosemi, pasi kemi bërë një kampionat dinjitoz dhe nuk duhet të hidhet baltë mbi ne.
Deklaratat e Licit? Është me dy fytyra, pasi para ndeshjes atë ditë më ftoi për drekë. Më pas, kur kishte një debat në studio, kishte thënë gjëra të turpshme në drejtimin tim. Shyqyr që nuk tha që e vendosa unë bombën. Ai të shikojë punën e tij, Bylisi ka lënë 9 pikë me Flamurtarin, ato që ata i morën. Kemi luajtur futboll dhe do e bëjmë deri në fund.
Bylisi nuk është Reali Madridit dhe mund ta kontrollojë një ndeshje si të dojë. Kemi vetëm një ëndërr, fitimin e Kupës. Mendoj se do e arrijmë. Ju e dini shumë mirë që kam luftuar shumë për këtë skuadër. Me Tiranën kemi fituar me meritë dhe do shkojmë në finale po me meritë. Unë jam presidenti dhe mbaj përgjegjësi për klubin dhe e di se çfarë ndodh këtu.
Ne kemi qenë dinjitoz në fushë dhe në sjellje. Mjafton të shikoni Goxhajn që e dënuam. Njëjtë kemi vepruar edhe me të tjerë, ku është thyere rregullorja e klubit. Në vitet e ardhshme do jemi shumë kompetentë. Nuk kam çfarë të flas, për ato që janë thënë, jemi të pastër për gjithçka. Do jemi një ekip model.
Nuk merrem me ekipin tjetër. Me Kukësin kemi bërë një ndeshje katastrofë në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë e mbyllëm Kukësin në zonën e tyre. Rastet e humbura me Tiranën janë të pafalshme. Jam shumë i dëshpëruar që nuk e fituam ndeshjen me Tiranan 4-0 ose 5-0, pasi i dominuam dhe ta kishim të sigurt kualifikimin”, ka deklaruar Besnik Kapllanaj, raporton “ABC News”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/