Shqipëria arriti të fitonte dy takimet e qershorit dhe ajo që bindi më shumë ishte performanca e kuqezinjëve, së bashku me spikatjen e disa elementeve me shumë potencial. Në një intervistë për “LiInterista”, ka folur kreu i FSHF, Armand Duka. Theksi është vendosur veçanërisht te Kristjan Asllani, pa harruar edhe lojtarët e tjerë. Duka është shprehur se nuk e kupton vendimin e Inzagit për të lënë në stol një yll botëror të së ardhmes si Asllani.
“Asllani tani është një lojtar i njohur për të gjithë, një talent me potencial të madh dhe me hapësirë të madhe për t’u përmirësuar. Këtë sezon ai sigurisht që është rritur shumë në aspektin sportiv dhe karakteri, duke punuar me lojtarë të mëdhenj si Mkhitaryan, Brozovic, Calhanoglu dhe Barella, edhe pse kishte shumë pak hapësirë për të luajtur. Por sinqerisht nuk i kuptoj kriteret që përdor trajneri Simone Inzaghi ndaj tij.
Ndoshta Inzaghi nuk e vlerëson mjaftueshëm sepse, në aspektin sportiv, Asllani meriton më shumë. Më duket e çuditshme që një lojtar me karakteristikat e Asllanit ta mbyllë sezonin me kaq pak minuta. Mendoj se Asllani meriton shumë më tepër hapësirë se sa ka pasur. Kjo sigurisht që është e rëndësishme për ne që Asllani të luajë sa më shumë, por nëse lojtari do të qëndrojë apo do të huazohet, ky është një vendim i klubit dhe lojtarit. Për momentin nuk mund të them se Asllani është më i mirë se Brozovic, por jam i bindur se ai është zëvendësuesi i tij ideal dhe në disa ndeshje mund të jetë edhe më i mirë se vetë Brozovic.
Padyshim që Asllani i ka të gjitha elementet për t’u bërë yll botëror. Ai është ende shumë i ri dhe po rritet me ritme shumë të shpejta. Përveç tij në kombëtaren shqiptare kemi edhe talentë të rinj si Nedim Bajrami, Mario Mitaj apo Ernest Muçi, mund t’i shohim të luajnë në të ardhmen në klube të mëdha.
Nedim Bajrami është shumë i talentuar, në dy ndeshjet e tij të fundit me kombëtaren shënoi dy gola dhe pati paraqitje shumë të mira. Cilësitë e tij janë të padiskutueshme dhe do ta shihja menjëherë në shtëpi në një ekip të madh. Nuk duhet shumë për të hedhur hapin e madh”, tha Duka. /Sport Ekspres/