Shqipëria po vazhdon që të marrë rezultate fantastike nën drejtimin e Silvinjos. Kuqezinjtë ia kanë dalë edhe kundër çekëve, me shifrat 3-0. Kështu Kombëtarja jonë po shkon e sigurt drejt kualifikimit në Europianin e Gjermanisë. “Koha Shtesë”, programi i ri i Sport Ekspres ka zhvilluar një intervistë me gazetarin e njohur shqiptar, Eno Skarço, për të bërë një analizë rreth Kombëtares. (Shiko videon më poshtë për të parë intervistën e plot në video)
“Mirlind Daku më ka befasuar, askush nuk e shtyn dot, nuk e ndalon dot. Më kujtohet kur ishte te Kukësi, i kishte parametrat, por nuk ngjan fare me lojtarin që është sot. Nuk e besonte njeri se do të arrinte në këto nivele kaq shpejt. Është sulmuesi i së ardhmes, kjo skemë e Silvinjos funksionon më së miri me Dakun si qendër sulmues. Si Tare dhe Bogdani nuk e kanë pasur grintën e Dakut, Daku është si një bishë e lëshuar nga kafazi që do të kafshojë këdo që gjen përpara. Më pëlqen shumë mënyra sesi luani ai, mbrojtësit rivalë kanë frikë t’i qëndrojnë afër.
Arbnor Muja? E ngacmova pas ndeshjes për golin e anuluar që sa u mërzit, më tha: “Shumë u mërzita. A e pe në kamerë? I thashë arbitrit: “A është gol, a është gol?”. Nuk e dha. Ishte shumë i ngjirur nga festa në dhomat e zhveshjes dhe kur e pyeta kush bërtiti më shumë aty, më tha: “Ja kush thua ti, po unë”. (qesh). Më pëlqeu shumë tipi, adrenalina që kishte. Shumëkush do të ishte mërzitur që iu anulua goli i parë me fanellën e Kombëtares, por Muja gjeti forcën dhe e harroj, gëzoi së bashku me ekipin”, tha Skarço. /Sport Ekspres/