Ja data kur do të zbarkojnë tifozët e Romës dhe Feynord në Tiranë, Gazmend Malo: Kjo finale është certifikimi i FSHF

0

Finalja e Conference League që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë më 25 maj është kthyer tashmë në kryefjalë këto javë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Kjo ndeshje është historike, jo vetëm për UEFA-n, që ka vendosur ta organizojë në Shqipëri këtë finale, por edhe për vendin tonë që do të presë për herë të parë një event të tillë të këtyre përmasave. Në një intervistë për emisionin “Zona Zero” në Top News, drejtori i Marketingut në FSHF, Gazmend Malo tregon se stadiumi “Air Albania” ka qenë pikënisja e gjithë procedurës që ka mundësuar këtë aktivitet, ndërsa flet edhe për të gjithë etapat e tjera të plotësuara nga FSHF-ja. Numri i tifozëve që pritet të vijnë në Tiranë, shpërndarja e biletave për këtë sfidë, si dhe aktivitetet që do të zhvillohen në Tiranë në ditët e finales janë disa nga çështjet të cilat u diskutuan në këtë intervistë.

Shitja dhe shpërndarja e biletave – Biletat janë shitur në harkun kohor të 2 orëve. Në këto bileta, rreth 5000 janë blerë nga njerëz që kanë aplikuar nga Shqipëria. Një pjesë tjetër janë blerë nga shqiptarë nga Kosova dhe një pjesë tjetër nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Këto kanë qenë % masive që kanë blerë bileta në këtë kontigjent.

Stadiumi “Air Albania” dhe procesi për të pritur finalen – Kjo është prova që tregon që stadiumi i plotëson të gjitha standartet. Flasim për një stadium të kategorisë së katërt. Stadiumi ka qenë pikënisja e procedurës që mundësoi këtë aktivitet kaq të rëndësishëm në Shqipëri, sepse në bazë të inspektimit të tij, u vendos që dy ekipet mund të luajnë këtu dhe më pas u pa edhe e gjithë pjesa tjetër e sistemit në Shqipëri, duke nisur nga aeroporti, transporti urban dhe çdo gjë tjetër që përfshin logjistikën dhe kushtet që ofrohen. Ka qenë një proces shumë i vështirë, disa vjeçar. Kemi aplikuar në fillim për aktivitete të tjera të kësaj rëndësie. Aplikimi i parë ka qenë për të kuptuar procedurat se si funksiononin pasi nuk e kishim bërë më parë dhe na duhej pak eksperiencë. Pastaj e kemi përsëritur këtë gjë. Lobimi ka qenë maksimal i Federatës dhe në vetë të parë, të Presidentit Duka për një eveniment të këtyre përmasave. Pas inagurimit të stadiumit, u përballëm me pandeminë, por ja ku jemi sot dhe flasim për këto detaje të këtij eventi të madh.

Conference League – I gjithë procesi parashikonte rreth 13 kapituj, ku çdo pjesë e këtij eventi, duke nisur nga aeroporti, te transporti, akomodimi, stërvitja etj ka qenë një plan i mirëdetajuar nga organizatorët e këtij eventi që është UEFA. Çdo gjë është parë me detaje dhe është diskutuar me palët që do të merrnin përsipër çdo gjë. Shifra 90 mijë është në rritje, pasi para pak ditësh flisnim për 80 mijë, ndërsa tani, jam i bindur që do të kalojë 100 mijë. Është një shifër shumë e mirë, pasi nga njëra anë na garanton neve që, nëse i presim mirë, ata mund të kthehen si turistë, por nga ana tjetër është një shifër që rrezikon të na vërë në krizë në momente të caktuara. Është një gjë që ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe nga ana sportive kjo na qëlloi edhe me dy ekipe të mëdha si Roma dhe Feyenoord.  Stadiumi do t’i dorëzohet UEFA-s 10 ditë përpara dhe ka qenë objekt modifikimesh gjatë gjithë kësaj kohe për t’iu përshtatur këtij aktiviteti. Ky është një rast unik, që duhet shfrytëzuar në mënyrë maksimale sepse është e vështirë të mendohet një numër i lartë tifozësh që vijnë në Tiranë. Nga ana futbollistike, ky nuk është një aktivitet i vogël dhe mendoj se duhet të jemi të kënaqur, sepse edhe në politikat e UEFA-s, aktivitete të këtyre përmasave, UEFA i zhvendos në etapa dhe nuk i aprovon për vite me radhë në të njëjtin vend. Me të kaluar këtë provë, ne do të propozojmë kandidaturën tonë për aktivitete të tjera.

Aktivitetet në Tiranë – Në datën 24 dhe 25, pritet një “zbarkim” tifozësh nga të gjitha anët me fluturime por edhe në drejtime të tjera, nga deti, me makina etj. Të gjithë njerëzit që do të zbresin në Rinas, do të bien në kontakt me brandimin e qytetit dhe pikave kryesore në kontakt me eventin. Në sheshin “Skënderbej” do të ketë një pjesë shumë të rëndësishme që i dedikohet zbavitjeve, lojëra për fëmijë, lojëra për të rritur, do të jetë trofeu i këtij kompeticioni në shesh, që do të ekspozohet në datat 24 dhe 25 maj.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.