Izraeli lë pasoja edhe për nëntorin, dy titullarë humbasin Skocinë

0

Humbja 2-0 në Izrael i dha një goditje të fortë shpresave të Shqipërisë për të vazhduar garën për kreun e Grupit 1 në Ligën C, të turneut më të ri të UEFA-s, Nations League. Kuqezinjtë e shohin veten të tretët në grup, me vetëm një fitore në tre ndeshje të luajtura, me një gol të shënuar dhe 4 të pësuar.

Tashmë, vetëm matematika, me kombinime të vështira për tu realizuar, e mban skuadrën e Panuçit virtualisht në garë. Për të evituar vendin e fundit, duhet që Kombëtarja të mposhtë Skocinë në duelin e 17 nëntorit në “Loro Boriçi”, ndërsa nga ana e tyre skocezët të fitojnë me Izraelin në ndeshjen e fundit. Edhe në këtë rast, fitorja mund të mos mjaftonte.

Por, në sfidën ku do të luhet “karta e fundit”, misioni vështirësohet edhe prej mungesave. Sikur të mos mjaftonte disfata në Izrael, pas asaj ndeshje, Shqipëria humbi shërbimet e Elseid Hysajt dhe Migjen Bashës për ndeshjen ndaj Skocisë. Të dy lojtarët u ndëshkuan me kartonë të verdhë në Ber Sheva, ndërsa më parë ishin ndëshkuar pikërisht përballë izraelitëve, në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena”.

Sipas rregullores së Ligës së Kombeve, duke vlerësuar edhe numrin e ulët të ndeshjeve që luhen në grupe (4 për grupet me tre ekipe dhe 6 për ato me 4 skuadra), UEFA ka vendosur që nëse ndëshkohen me dy kartonë të verdhë në dy takime të ndryshme, lojtarët pezullohen për ndeshjen e radhës. Përpos mungesave të rëndësishme prej dëmtimeve, përballë Skocisë kuqezinjtë duhet të bëjnë llogaritë edhe me pezullimin e dy titullarëve.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.