Mbrëmja e djeshme u kthye në makth për Italinë, që u “masakrua” në Bernabeu nga Spanja. Pas 33 ndeshjesh kualifikuese pa humbje, “axurrët” u rrëzuan keqas dhe tashmë në vendin fqinj nuk mendojnë më për vendin e parë, edhe pse Spanja është vetëm 3 pikë larg.
Të gjithë nën akuzë, duke nisur nga trajneri Ventura dhe zgjedhja e modulit 4-2-4, me Verratin që u turpërua nga Isko dhe Insinjen që nuk ishte gjëkundi.
Italia duket se është tepër inferiore ndaj Spanjës, që e turpëroi edhe në finalen e Europianit 2012 4-0, ndaj në Itali janë të dorëzuar, mendja është që tani te ndeshjet play-off.
Të martën Italia pret Izraelin, fitorja është detyrim dhe duhet arritur pa të pezulluarin Bonuçi. Më pas, në tetor vijnë sfidat kundër Maqedonisë e Shqipërisë, me kuqezinjtë që në teori shpresojnë edhe te vendi i dytë, por në praktikë është një objektiv i pamundur.
Italia bën llogaritë: në këtë moment, Suedia, Irlanda e Veriut, Irlanda dhe Greqia janë rivalët e mundshëm për një vend në Kupën e Botës.