Ishte Shqipëria e Europianit!

 

Opinion nga Gjergji Stefa

Nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë një skuadër e madhe, por 5 humbjet radhazi na konfirmuan katërcipërisht se nëse nuk japim më të mirën tonë, nëse nuk jemi të përqendruar në çdo moment dhe nëse nuk shfrytëzojmë çdo mundësi që na jepet, rrezikojmë të bëhemi dhe më të vegjël se sa Shqipëria e humbjeve radhazi të dekadave më parë.

Në Haifa i bëmë gjërat ashtu si duhet. De Biazi sidomos, por patjetër edhe futbollistët kishin zbritur me këmbë në tokë dhe mesa duke humbja në Luksemburg kishte ardhur në vendin dhe kohën e duhur. Duhej një shkundje kolektive për të realizuar një ndeshje perfekte, për të shfrytëzuar rastet, për t’u mbrojtur mirë dhe për të pasur dhe fatin me vete. Duhet pranuar, kundërshtari nuk ishte në ditën e tij më të mirë.

Ne kemi fituar shumë rrallë jashtë fushës (edicionin e shkuar kemi rekordin tonë me 10 pikë në 4 ndeshje) dhe me shumë gjasa do ndodhë edhe më rrallë të fitojmë dhe 3-0. Megjithatë, nëse sillemi kështu si këtë të diel, do kemi shumë gjasa që të mërzitemi rrallë. Pa asnjë lloj vetë kënaqësie, duke u futur në fushë si ushtarë dhe duke dalë si gjeneralë.

Shqipëria dhe Izraeli nuk kanë diferenca të mëdha e madje në këtë grup aq Maqedonia nuk serviret si një skuadër me cilësi më të lartë. Në 12 muajt e fundit i nënvlerësuam të dyja. Kundër Maqedonisë na ndihmoi stuhia, ndërsa kundër Izraelit as shiu nuk na bëri punë. Pas një viti u rikthyem së qeni Shqipëria e vogël dhe u bëmë sërish të mëdhenj. Të vegjël në kuadër të modestisë, të mëdhenj në planin e sakrificës. Nëse e mbyllim kështu këtë edicion, do shpresojmë për një vend të tretë, objektivi ynë kryesor.

Në fund diçka dhe për De Biazin. Arrogant, aspak miqësor, simpatik jo e jo, cinik dhe fodull sat ë duash, por këtë radhë, ashtu një vit më parë në Europian, meriton komplimentet më të mëdha. Ishte edhe ai De Biazi i Europianit. Pikërisht në ditën ku ishte firmosur shkarkimi i tij. Kur është nën presion, punon si duhet. Ishte më shumë fitorja e tij sesa e lojtarëve. Ndryshoi skemën, formacionin dhe përgatitjet. Eksperimentet e së shkuarës i ka mbyllur në sirtar. Mbi skrivani është 4-5-1 tipik. Ne, me sa duket, dimë të luajmë vetë kështu.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *