“Ishte një event i rrallë ai i Shijakut”! Ruco tregon edhe pse ekipet shqiptare ngecin në Europë: Shikoni Partizanin dhe Kolelën, nuk morën shembull nga Skënderbeu…

Edmond Ruco ishte një prej figurave të njohura të komunitetit të futbollit në mbrëmjen që u organizua në Ajman Park, Shijak. Emisioni “Ora Sport” mbylli sezonin televiziv dhe kishte menduar për një festë futbolli, mes personazheve që kanë dhënë jo pak kontribut për këtë sport, tani edhe nga studiot televizive me mendimet e tyre.

Për Rucon këto evente duhet që të shtohen më tepër në të ardhmen për të rritur edhe frymën e bashkëpunimit. “Të tilla evente si ai që u organizua bëhen rrallë, nuk i sheh shpesh. Të jesh i ftuar nderi ndër ato figura aq të njohura, të bën të ndihesh vërtet mirë dhe i vlerësuar.

Përpos faktit që emisionet “Ora Sport” dhe “Sport Magazine” mbyllën një vit të suksesshëm, edhe organizimi i asaj mbrëmje ishte fantastik. Duhet të ketë më tepër mbështetje dhe evente të tilla të jenë gjithmonë, pasi rrit edhe frymën e bashkëpunimit”, tha Ruco.

E teksa e pyesim se pse ekipet shqiptare nuk e thonë dot fjalën e tyre në Europë, pasi po afrojnë gjithmonë e më tepër ndeshjet e së vërtetës për skuadrat e Superiores, Ruco thotë se nuk po ndiqet modeli i Skënderbeut.

“Keni shembullin konkret dhe që ndodh rëndomtë, Partizani del kampion dhe nis fshesa, largohet drejtori sportiv dhe trajneri. Ne përballemi me faktin që mbaron kampionati dhe asnjë skuadër nuk mban boshtin e ekipit. Ti bën blerje të bujshme, po varet sesa do të përshtaten ata.

Kolela duhej që të vazhdonte, pavarësisht nga vjen, nuk na intereson, ai fitoi titullin kampion, duhej të ishte akoma te Partizani. Nëse e kishe një projekt me Kolelën, pse e le aty. Nuk kemi vazhdimësi dhe nuk arrijmë dot në Europë pasi nuk kemi kontrata afatgjate, por aty për aty, vetëm një vjeçare. Shembulli ideal i mënyrës sesi duhet të funksionoj klubi ishte ai i Skënderbeut.
Dua ta përgëzoj Tiranën për vazhdimin me Orges Shehin. Jam kënaqur shumë pasi tregon vazhdimësi dhe strategjinë e klubit. Më vjen mirë pasi tregon si rast që ka nisur të respektohet institucioni i trajnerit, që të mos jenë në çdo rast me valixhe në dorë.

Egnatia duhet të bëjë ndërhyrje në merkato, por në Europë është histori tjetër nga kampionati, po humbe, eliminohesh, nuk ka rikuperim. Duhet ndërhyrje në merkato dhe besoj do ta bëjnë pasi e kam parë seriozitetin e tyre, boshtin e kanë të mirë. Por me portierin që ka Egnatia duhet të jetë me mendje të fjetur mbrapa pasi Alen Sherri për mua është një nga më të mirët e Superiores, e them me superlativa”, u shpreh Ruco. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *