Për ngjarjen e fundit në Shqipëri dhe për ndërhyrjet politike rreth kreut të ri të FSHF ka reaguar edhe De Biazi. Trajneri italian, që është më i suksesshmi i Kombëtares dhe që na dërgoi në Europian, shprehet i shokuar pasi mësoi se ishte vendosur tritol në shtëpinë e Armand Dukës. De Biazi shprehet për “Breaking” në “Top News” se futbolli shqiptar ka bërë shumë hapa para dhe se politika duhet të qëndrojë larg, pasi një situatë e tillë nuk ndodh askund.
“Gjithmonë kemi kaluar shumë mirë, me shumë miqësi, jam shumë i nderuar që kam qenë pjesë e atij sistemi. I kam dërguar një mesazh Presidentit Armand Duka pasi i vunë eksploziv, është diçka që nuk e besoj dot, është çmenduri, nuk e di si mund të ndodhë diçka e tillë. Është bërë diçka ndaj një personi që unë besoj se ka bërë shumë për futbollin në Shqipëri.
Askush në futbollin shqiptar nuk ka arritur aq shumë, në nivele të tilla që të jetë pjesë e bordit drejtues të UEFA-s. Kjo është e rëndësishme për të gjithë futbollin në Shqipëri. Futbolli është i pavarur, dhe politika duhet të jetë e distancuar nga sporti. Kjo nuk ndodh në vende të tjera. Unë e kuptoj se të gjithë duan të afrohen pranë Federatës se ka marrëdhënie të rëndësishme kombëtare, ka gjëra që bëhen me shumë para”, tha De Biazi. /Sport Ekspres/