Novak Xhokoviç ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë periudhës së pandemisë. Pavarësisht se bota po përballej me Covid-19, tenisti serb vendosi të organizonte një kampionat tenisi, ku nuk u respektuan asnjë prej masave mbrojtëse. Pak kohë më vonë sportisti 33-vjeçar rezultoi pozitiv me Koronavirus, duke bërë që në drejtim të tij të vërshonin një lumë kritikash. Gjithashtu një tjetër episod i pakëndshëm për të ishte edhe momenti kur gjatë një ndeshjeje të tij godet aksidentalisht me top asistenten anësore.
Por kur vjen fjala për kritikat, trajneri i Xhokoviç e sheh më tepër si një çështje racizmi, se sa gabime nga ana e lojtarit të tij. Goran Ivaniseviç ka dhënë një intervistë për “Tennis Majors“, ku thekson se njerëzit nga Ballkani trajtohen gjithnjë ndryshe nga të tjerët.
“Gjithçka filloi me Adria Tour. Ata i ishin vënë pas edhe para kësaj, por vitin e fundit, më dukej sikur po shikoja atë film, Masakra me sharrë elektrike me zinxhir në Teksas. Pse po trajtohet në atë mënyrë? Ndoshta për shkak të prejardhjes së tij. Njerëzit nga Ballkani shikohen gjithmonë ndryshe. Gjithashtu, Novak nuk ka frikë të flasë atë që ka mendjen e tij dhe të luftojë për kauzat në të cilat beson.
Ajo që ndodhi në US Open, u duk sikur të gjithë ishin të kënaqur sepse atij i ndodhi një diçka e tillë. Në Australi ai u ngrit për shokët e tij lojtarë dhe përsëri, le të shkelmojmë Xhokoviç sepse ai është i vetmi që flet, të gjithë të tjerët qëndrojnë në heshtje. Gjatë karrierës sime kam qenë dëshmitar i lojtarëve që bënin të gjitha llojet e gjërave, por askush nuk mori atë lloj trajtimi që merr Novak“, ka thënë Goran Ivaniseviç./Halit Delibashi-Sport Ekspres/