Arlind Ajeti po kthehet në formën e tij më të mirë. Serie B rezultoi kampionati i duhur për të ringjallur atë lojtar që aq shumë i dha Kombëtares në rrugëtimin historik në Euro 2016. Mbrojtësi shqiptar është heroi i ditës për Reggiana-n ditën e sotme, kjo pasi shënoi golin e fitores kundër Pordenones në minutën e 11 të takimit. Pas përfundimit të ndeshjes, Ajeti ka folur për mikrofonin e “DAZN“, ku tregon edhe si ka lindur aftësia e tij për të shënuar, gjë të cilën e ka bërë edhe herë të tjera këtë sezon.
Fitorja
“Një fitore shumë e rëndësishme që kurorëzon dy javë punë të palodhur. Sot ne shkuam vërtet të fortë në fushë. Ne provuam të ishim një ekip që është ende gjallë, i animuar nga një frymë sakrifice dhe kohezioni të madh midis të gjithë protagonistëve të saj”.
Aftësitë sulmuese?
“Si fëmijë kam luajtur në sulm, roli im është ai i një mbrojtësi dhe mendoj mbi të gjitha për këtë, por kur kam mundësi të dal përpara e bëj atë për të shënuar”.
Një mesazh për fansat?
“Ne duhet të besojmë në të deri në fund, duke vazhduar të punojmë dhe të shkojmë në fushë po aq të përqendruar dhe të vendosur ashtu siç bëmë sot. Me të vërtetë na mungon afeksioni dhe brohoritja e tifozëve, duke i parë ata jashtë stadiumit përpara ndeshjes na motivoi”, ka deklaruar Arlind Ajeti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/