Florian Marku fitoi një tjetër titull kampion në përballjen me Migel Parran që u zhvillua në “Air Albania”. Bokseri shqiptar u prit me ceremoni nga qeveria jonë, e cila e vlerësoi me medalje për arritjet e bërë në karrierë deri më tani. Por jo të pakta ishin edhe kritikat në drejtim të Markut. Në këtë krah rreshtohet edhe Bashkim Sinemati, i cili në studion e emisionit “Procesi Sportiv“ ngre dyshime në lidhje me vërtetësinë e ndeshjes së boksit që u organizua në “Air Albania“, si dhe kritikon dëshirën e politikës për të marrë copën e tortës në çdo sukses që arrihet në sportin shqiptar.
“Pyetja e madhe që shtrohet është: “A ishte e vërtetë, a s‘ishte e vërtetë kjo ndeshje e madhe e boksit që u zhvillua në ‘Air Albania’“? Kur kujtoj fjalët e trajnerit të madh të boksit, Gjonit, që thoshte që politika ndihmon shumë për këtë ndeshje për ta bërë të vërtetë. Dha kontributin e saj, sepse njëri boksier ishte në vendin e 42-të, ndërsa tjetri në të 250-in. Politika është gjithmonë gati për të vënë medalje, pa e lodhur kokën shumë, se ne e dimë shumë mirë edhe në futboll, kur u vu ajo formula armene politika u gëzua më shpejt nga të gjithë për kualifikimin e Kombëtares. Tani nuk e vre.t më mendjen. Ishte ndeshje e vërtetë apo jo ajo e boksit? E ç’rëndësi ka, politika e vari medaljen. Për të varur medaljen, politika është vetë sport i trukuar. Ajo ishte fraza që i vë vulën pastaj, kur bokseri shkon te kryeministri dhe i thotë: ‘Ju do fitoni zgjedhjet, unë do bëhem kampion bote‘“, ka thënë Bashkim Sinemati./Halit Delibashi-Sport Ekspres/