“Ishim më mirë edhe se Juventusi”, Conte kalon në eufori dhe shmang problemet: Si të vendosësh mishin në zjarr!

Conte bëri atë që shumë të tjerë përpara tij dështuan për ta arritur. 10 vite kishte Interi që nuk shkonte në një finale kupe europiane, ndërsa italiani me mjaft lehtësi arrin në këtë fazë. Interi nuk u ndie për asnjë moment të vetëm në vështirësi nga Shaktari, i cili dështoi të krijonte aksione për gol. Golat e Lukakut dhe Lautaro Martinez çuan në “knock out” ekipin ukrainas.

Në intervistën pas ndeshjes trajneri i Interit ishte mjaft i kënaqur me rezultatin, edhe pse për të nuk eshtë rastësi. Sipas italianit, skuadra e tij ishte e pafat si në kampionat ashtu dhe në Europa Ligë. Gjithashtu ai refuzoi të flasë për të shkuarën, ku kishte shprehur pakënaqësitë ndaj kryesisë së klubit.

“Sot nuk dua të kthehem në disa tema për të kujtuar të shkuarën. Në atë moment ndjeva disa gjëra dhe i thashë. Të gjitha gjërat që unë them janë në një nivel konstruktiv, atëherë është normale që në nivelin e shtypit ne përpiqemi t’i japim më shumë jehonë. Është si ta vendosësh mishin në zjarr. E di që duhet të kalosh disa hapa për të arritur në atë që duam të jemi në të ardhmen. Unë nuk jam një person ‘politik’, e shoh të vështirë.

Ekipi ka rifilluar nga puna. Unë besoja se kishim mundësi për të zhvilluar një finale si protagonist. Në Kupën e Italisë ishim të pafat, në kampionat patëm dy rrëshqitje të pajustifikueshme. Gjithmonë mendoj se merren mësime nga dështimet. Gjeta një grup lojtarësh me cilësi, falë tyre ne përfunduam një pikë pas Juventus, gjithashtu duke pasur statistika shumë më të mira se Juventus. Tani po luajmë një finale të Europa League”, ka thënë Conte. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *