Arton Zeka do të jetë lojtari më i ri nën urdhërat e Rafet Prekazit te Kosova U21. Mesfushori shqiptar ka braktisur ekipet e moshave me fanellën e Serbisë pak muaj më parë. Pas rikuperimit nga një lëndim muskular, Zeka i është bashkuar ekipit të Prekazit gjatë mëngjesit të së martës në seancën stërvitore.
Mesfushori 19 vjeçar është rritur në moshat e shtetit fqinjë, madhje tek U17 Arton Zeka ka qenë edhe kapiteni i ekipit. Së fundmi në një prononcim të tij, i riu Zeka është shprehur se ndihet krenar për zgjedhjen e bërë, por pa dhënë arsye apo detaje për largimin nga moshat e Kombëtares së Serbisë.
“Për mua është një nder i madh të vesh fanellën e shtetit tim, kënaqësi të jem pjesë e këtij grupi. Nuk jam ndier kurrë më mirë sesa kur e vesha fanellën për t’u stërvitur me ekipin. Të gjithë më kanë pritur mirë dhe gjërat po shkojnë ashtu siç i kam ëndërruar”, është shprehur Arton Zeka./Sport Ekspres/