Nga Klaudio Ndreca
Mediat italiane kanë raportuar para disa ditësh dëmtimin e Thomas Strakoshës, ndërsa u tha se do të mungonte për ndeshjen e parë pas rifillimit të kampionatit. Kjo pasi u njoftua se gardiani shqiptar kishte probleme me kupën e gjurit. Por pak kohë më vonë u përgënjeshtrua gjithçka, duke u theksuar se Strakosha do të rikthehej sërish dhe do të luante menjëherë pas rinisjes së Serisë A.
Ndërkohë ish-futbollisti italian, Masimo Brambati ka shokuar me deklaratën e dhënë për mediat italiane. Sipas tij është sajuar gjithçka nga ana e klubit të Lacios dhe gardiani shqiptar ka dalë pozitiv me Koronavirus. Ndërkohë presidenti i Lacios ka bërë gjithçka për të minimizuar rrezikun nga COVID-19 dhe për këtë arsye sipas bazës llogjike të Brambatit duhet të fshihen rastet pozitive.
“Ka qenë një lojtar i Milanit dhe një i Lacios që kanë dalë pozitiv me Koronavirus. Kjo do të thotë se Strakosha nuk e ka një dëmtim, por ka dalë pozitiv. Ka bërë testimin dhe kjo është përgjigja. Ndërsa te Milani është Kesie pasi udhëtoi me Gervinhon në Afrikë dhe u karantinuan”, ka thënë Brambati. /Sport Ekspres/