Në Kategorinë Superiore janë zhvilluar edhe takimet e fundit që ishin të vlefshme për javën e 30. Surpriza e madhe ka ardhur nga Laçi, atje ku djemtë e drejtuar nga ana e Cungut kanë mundur Kukësin me shifrat 2-0, për t’i hapur rrugën e titullit Tiranës. Bylisi do të fitonte falë golit të Hidit në minutën e fundit ndaj Skënderbeut, ndërsa Teuta bëri goleadë në shifrat 1-5 ndaj Luftëtarit. Më poshtë keni edhe prononcimet e protagonistëve për “Supersport”:
Cungu (Laçi): “Komplimente djemëve për ndeshjen e zhvilluar. Por ne kishim shanse për të fituar edhe me thellë ndaj Kukësit. Pandemia ka ndikuar dhe është e vështirë për një ekip shqiptar që të marrë formën e dikurshme. I dhamë terren Kukësit në 30 minutat e para? Nuk është e vërtetë, këtë nuk e bëjmë dot as me një ekip të fëmijëve dhe jo me Kukësin, që dihet për cilësitë që ka. Më erdhi keq për Kukësin? Kur unë mund Vllazninë, që më rreh zemra aq shumë për të dhe ekipet e tjera vijnë shumë më poshtë, atëherë duhet të bëj punën time, pavarësisht respektit që kam”.
Daja (Skënderbeu): “Dhemb shumë për mënyrën sesi erdhi kjo humbje, por kishim shumë ndeshje pa marrë disfatë. Unë nuk jam nga ata trajnerët që them e dha penallti apo nuk e dha penallti, me të drejtë apo pa të drejtë. Megjithëse në fakt penalltitë për ne nuk janë, për kundërshtarët janë, duke parë shumë ndeshje të fundit. Por le të mbrojmë lojtarët nga dëmtimet dhe përderisa virusi është ende vërdallë, atëherë i bëj thirrje lojtarëve të mi që të jenë të kujdesshëm. 11-metërshi i dhënë sot për Bylisin? Nuk dua të merrem, është i fundit fare. Merreni pak ndeshjen sot në analizë, të gjithën, sa i përket arbitrimit. Ajo që unë dua është që ashtu si dalin lojtarët tanë me karton të kuq, duhet të dalë edhe kundërshtari për ndërhyrjet e ashpra”.
Shehi (Kukësi): “Ishte ndeshje e vështirë për ne, nuk ishim në gjendje të mirë dhe sigurisht që ka ndikuar edhe tabela e klasifikimit. Do të doja së bashku me lojtarët të dilnim me pikë të plota sot. Diferenca me Tiranën dhe titulli kampion? Nuk dua të merrem me matematikë tani, por le të fokusohemi te Kupa. Kur pësuam golin e parë duhej të kishim reaguar me lojtarët me eksperiencë. Pasi pësuam edhe të dytin, atëherë gjithçka u mbyll aty. Po vendoseshim në vështirësi nga topi i gjatë dhe topi i dytë, që asnjëherë nuk e fituam. Unë i kam thënë edhe lojtarëve që nuk ka lidhje fare e ardhmja ime këtu. Unë nuk e mendoj fare, që do të iki apo jo. Po largohet Murinjo, e jo më Orges Shehi. Thjeshtë kemi cilësi dhe duhet të shprehemi në fushë. Dua të kthehemi si në ndeshjet e mëparshme”.
Selmani (Laçi): “Jam shumë i kënaqur për golin e parë në Superiore. Babain nuk e kam parë farë që ishte në fushë pas golit tim nga emocionet, vetëm kur më thanë shokët. Mendoja se po qendronte lart në stadium. Vëllai im Gentiani ka punuar shumë dhe u largua në Turqi. Gjithashtu edhe unë dua që të punoj më tepër te Laçi, pastaj për të parë më lart. Kemi edhe një vëlla tjetër që luan me U-19 e Laçit.