Kukësi arriti të fitojë në “finale e parakohshme” ndaj Tiranës në shifrat 1-2. Verilindorët janë ende në garën për titull, duke i hequr mundësinë bardhebluve që të festonin sot titullin. Nga ana tjetër Bylisi dhe Partizani kanë ndarë pikët e barabarta, pasi nuk shkuan më tepër sesa 1-1 në Ballsh. Më poshtë mund të gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Egbo (Tirana): “Është hera e parë që e shoh Tiranën kështu. Nuk shpjegohet dot se çfarë tip loje kemi bërë. Ndoshta ka ndikuar edhe energjia negative e ndeshjes së fundit kundër Bylisit. Si të kthejmë entuziazmin para derbit? Po nuk kemi humbur asgjë, jemi ende në vendin e parë. Po ta shihni që kur erdha te Tirana nuk kam thënë kurrë që do të shpallemi kampion, por do të mendojmë për ndeshjen e radhës. Kështu mbahet ekuilibri dhe jemi me këmbë në tokë. I kam thënë edhe lojtarëve: “Lëreni se çfarë thonë gazetarët apo mediat, nuk jemi shpallur kampion ende”. Nuk jam unë Zoti, as ti dhe askush tjetër. Ndaj Bylisit nuk kemi bërë asgjë të keqe. E thashë edhe atëherë, që ndikoi edhe vapa, lojtarët shkuan dy herë për të pirë ujë.
Dovedan (Bylis): “Skuadra ndaloi të luante kur pësuam golin. Jam i kënaqur me rezultatin duke parë sesi shkoi ndeshja. Ishim mirë deri në momentin që Broën shënoi, pastaj kaluam në panik. Asnjë nuk është i sigurt se do të qendrojë në Superiore. Përse nuk luajti Goxha? Po e pa e gjithë Shqipëria. Unë jam trajneri dhe unë vendos se kush do ta gjuajë penalltinë”.
Shehi (Kukësi): “Kjo fitore ne na ka ngrohur, duhet që të komplimentojë djemtë. Kobina ishte lojtari më i rrezikshëm te Tirana. Skema na ka funksionuar, në varësi edhe të kundërshtarit. Kjo fitore ishte thelbësore dhe prestigji. Nuk më ka zgjatur analiza më shumë se dy minuta. I thashë djemëve: “Ju jeni lojtarët më të mirë në Shqipëri, tregojeni”. Partizani nuk ka nevojë për motivim dhe apel fare, pasi derbi të shtyn vetë që të fitosh. Ashtu siç edhe e thotë shprehja: “Më mirë të fitosh derbin sesa kampionatin”. Kjo është thirrje dhe mbështetje për Partizanin, edhe këpucët i kam pasur të kuqe sot”.
Sormani (Partizani): “Jam shumë i revoltuar edhe me lojtarët e mi. Kisha edhe keqardhje pasi mund të meritonim më shumë. Megjithatë asgjë nuk ka mbaruar dhe përsa kohë që na e lejon matematika, do ta provojmë Europën. Mëkat për Tedi Carën që kishte dy raste të mira për të mbyllur ndeshjen. Jam i kënaqur me Broën që është futur me ritmin e duhur. Le të marrim aspektet e mira për këtë ndeshje pasi kemi krijuar shumë raste. Partizani në derbi duhet të fitojë sepse i duhet, për asgjë tjetër”.
Nevil Dede: “Nuk e kuptoj diçka, thuhet që po luajmë mirë, pastaj që jam i revoltuar me lojtarët”.
Sormani (Partizani): “Nëse doni të bëni polemika, atëherë bëjeni. Por unë jam i qetë dhe kisha vetëm disa këshilla për futbollistët e mi”.
Safet Gjici (Kukësi): “Unë e kam thënë që në fillim dhe e përsëris. Kukësi duhej që të ishte në vendin e Tiranës që është sot. Por ne kemi bërë shumë gabime të tjera, për fajin tonë. Këto ishte tre pikë që ne na duheshim me patjetër. Nuk kemi asgjë në dorë, por ne nuk do të dorëzohemi deri në fund. Tirana ka punën e saj dhe Kukësi të tijin. Futbolli është i çuditshëm dhe nuk heqim dorë”.