Intervistat/ “Kjo është e tmerrshme”, Duro nuk e kapërdin dot barazimin: Përgjegjësi e Sherrit? U pa qartë

Drama e madhe në kampionatin shqiptar sa i përket luftës së titullit kampion duket se nuk ka për të përfunduar lehtë. Pas hapit të gabuar të Teutës dhe Partizanit gjatë ditës së djeshme, këtë herë është Laçi që ndjek të njëjtin ritëm.

Kurbinasit nuk arritën më shumë sesa barazimi 1-1 kundër Apolonisë. Por për këtë rezultat do të kryqëzohet vetëm një futbollist, portieri shkodran i Laçit, Alen Sherri. Në minutën e 89 të takimit kur kurbinasit po kryesonin me golin e Shehut në minutën e 47, u ekzekutua një goditje dënimi për Apoloninë nga mesfusha.

Tërësisht pa pretendime ishte krosimi i miqëve, ndërsa Sherri bëri gafën fëmijnore duke mos llogaritur kohën e topit për ta lënë portën e boshatisur. Diop do ta shfrytëzonte më së miri këtë rast për të tundur rrjetën, duke i hequr mundësinë kështu Laçit që të marrë vendin e parë me dy pikë më shumë se Vllaznia. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:

Duro (Laçi): “Ky është futbolli, nëse nuk e mbyll ndeshjen. Rezultati 1-0 nuk është kurrë i sigurtë, pavarësisht se po e administronim ndeshjen. Humbëm shumë raste dhe të pësosh në fund, të vjen keq. Nuk kam asnjë koment për lojën tonë pasi ishte në nivel shumë të mirë. Sot ishte e tmerrshme që me këtë ndeshje, me këtë situatë, me ato raste që ne krijuam, të dilnim barazim. Në këto raste nuk ka nevojë për analizë, thjeshtë të vjen keq që nuk morëm tre pikët. Përgjegjësi e Sherrit? Nuk dua të diskutojë asgjë, u pa qartë. Ndodhin në futboll dhe prandaj duhej ta kishim mbyllur ndeshjen më para”.

Kamarata (Apolonia): “Po luanim ndaj Laçit që është favoriti kryesor për të fituar titullin. E kemi nisur mirë ndeshjen në 10 minutat e para, më pas ishim në vështirësi. Goli në pjesën e dytë na vendosi në vështirësi serioze. Më pas e rritëm volumin e lojës në 20 minutat e fundit dhe arritëm që të shënonim. Nuk dua të shoh skuadrat e tjera, por ekipin tonë. Kemi edhe 13 ndeshjet të tjera. Nuk fituam pasi Laçi është ekipi më në formë në Superiore. Detyra ime është që t’i mbështes lojtarët deri në fund. Që kur kam ardhur këtu e kam parë Mihanën. Sot ishte disi më prapa për shkak të mungesave që ne kishim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *