Intervistat/ “Kam dy oferta”, Jasir Asani tregon bisedën e lojtarëve: Vendosëm se do të fitonim ndaj Skënderbeut

0

Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar edhe përballjet e Superiores sa i përket javës së 14 të kampionatit. Tirana ka përmbysur rezultatin ndaj Kastriotit duke marrë tre pikët me shumë vlerë në përballjen ku ka debutuar edhe Taulant Seferi. Krutanët i kujtuan bardhebluve se kjo nuk do të ishte një përballje e lehtë për bardheblutë, por duhej të djersnin për të fituar. Devid shënoi golin e parë në minutën e 20 duke komplikuar gjithçka për vendasit.

Idi Batha kthehet sërish si “hero” duke marrë detyrën e sulmuesit teksa ka dërguar saktësisht topin në rrjetë pas pasimit të bukur të Toshevskit. Më pas do të ishte Ernest Muçi që pas marrjes së bukur të topit në minutën e 53 e dërgoi topin në rrjetë. Vetëm pak sekonda më pas do të debutante edhe Seferi, që i urohet mirëseardhja në një futboll fizik dhe ku shpeshherë sulmuesi ka kërkuar faull që nuk janë akorduar.

Në krahun tjetër ishte Partizani që fitoi ndaj Skënderbeut. Në tokën e ujqërve dhe të pushtuar nga dëbora, të kuqtë zgjidhën gjithçka në minutat e para teksa Bardhi dhe Solomon do të dërgonin dy herë topin në rrjetë pas kordinimit të saktë me kokë, pas vetëm 7 minutash loje. Mensah do të ngushtonte diferencat në pjesën e dytë, por do t’i shërbejë vetëm statistikave. Surpriza ka ardhur në takimin mes Apolonisë dhe Laçit teksa goli i Gjatës ka thyer ecurinë positive të kurbinasve nën drejtimin e Duros. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:

Daja (Partizani): “Nuk e prisnim një terren të tillë për të luajtur, ne si trajnerë kemi dalë në plan të dytë. Ajo që mbizotëronte ishte shpirti i garës së futbollistëve. Pastaj kur kalon 0-2 në një terren të tillë, normalisht që do të mbrohesh. Sot nuk ishte merita ime, por sakrifica e të gjithë futbollistëve. Lojtarëve i thashë se nuk mund të luajmë me kombinime në dëbor, por vetëm me top të gjatë dhe që të ketë mbështetje, ndryshe nuk do të kishte vlerë. E vërtetë që përgëzova edhe lojtarët e Skënderbeut në dhomat e zhveshjes pasi kemi bërë rrugëtim së bashku dhe kisha kënaqësinë për ti takuar”.

Kamarata (Apolonia): “Ishte shumë e vështirë pasi po luanim ndaj një ekipi me shumë nivel si Laçi. Më ka pëlqyer shumë grinta e lojtarëve për të dalë te rezultati. Detyra ime është që futbollistët të rriten sa më shpejt, por shoh mënyrën e duhur sesi po stërviten. Shpërdorimet e rasteve? Po nëse jemi në vendet e fundit të renditjes, atëherë e kemi një problem. Detyra ime është që t’i përmirësoj lojtarët. Tani ekipet që do të vijnë këto do të kenë më shumë kujdes. Nëse kam ardhur këtu është fakti se kam besim te skuadra, por pak nga pak do të rregullohen të gjitha”.

Asani (Partizani): “Mund të them se kur erdha fillimisht te Partizani, e nisëm mirë dhe pastaj kalova një dëmtim që më la jashtë për disa javë. Do të vijë në formën e duhur për të ndihmuar Partizanin. Ndaj Apolonisë nuk kishim fatin, ndërsa ndaj Skënderbeut vendosëm të gjithë lojtarët që do të fitojmë me patjetër, pavarësisht nëse është ftohtë apo jo. Unë kam dy oferta nga Izraeli dhe Dubai, por unë jam i fokusuar te Partizani tani. Pastaj ajo që është shkruar do të bëhet”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.