Intervistat/ Egbo: Nuk mund ta drejtoj dot Tiranën, e dimë vetëm unë dhe presidenti
Ndeshja e fundit e javës së 16 e Superiores mes Tiranës dhe Flamurtarit përfundoi në shifrat 2-0. Bardheblutë marrin një tjetër fitore pas asaj në derbi, ndërsa vlonjatët ia vështirësojnë punën vetes në luftën për mbijetesë, duke marrë parasysh se Luftëtari arriti të merrte 3 pikët ditën e sotme. Ndërkohë, më poshtë mund të ndiqni intervistat e trajnerëve të të dyja skuadrave për “Supersport”.
Egbo (Tirana): “Shpenzuam shumë energji në derbin me Partizanin, por sot e dinim se mund ta fitonim takimin. Kemi pasur Muçin sot si titullar, për herë të parë. Nuk mund ta drejtoj unë Tiranën, do qendroj deri në janar dhe pastaj do i lë vendin trajnerit të ri. Zgjedhje personale që unë dhe presidenti e dimë. Ka të bëjë me një arsye shëndetsore. Gjithashtu tekniku i ri mund të vijë së bashku me stafin, nuk ka problem për mua”.
Birçe (Flamurtari): “Këtu mungojnë lojtarët lider. Nuk shoh ndonjë futbollist që të marrë ekipin dhe ta ngrejë lartë. Problemet janë ato që kanë qenë dhe situatën e shoh akoma më të vështirë. Kisha një problem shëndëtsor prandaj kam munguar në stërvitjen e Flamurtarit. Sa i përket penalltisë që u dha kundër nesh, nuk kam shumë për të thënë, megjithëse Sukaj më tha që kontakti ishte jashtë zone”.