Java e tretë e Superiores ka mbyllur siparin me dy ndeshjet e orës 19:00, ku nuk ka munguar edhe surpriza. Bylisi arriti të fitonte me rezultatin 0-3 në Korçë ndaj Skënderbeut, atje ku shënoi edhe portieri Isli Hidi me penallti.
Nga ana tjetër Partizani ia ka dalë me Flamurtarin në shifrat 1-0, falë golit të Solomon. Ky i fundit do të largohej me karton të kuq pa u mbyllur pjesa e parë, pasi rrezikoi seriozisht shëndetin e Delijas me takat e vendosura në fytyrë. Më poshtë mund të gjeni të gjitha intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Dritan Sadedini (Flamurtari): “Këto dy javë pushimi nuk do të na japin ndonjë ndihmë të madhe, pasi një javë përgatitje është. Këto janë mundësitë tona, lojtarët nuk e njohin njëri-tjetrin dhe prandaj fitoi Partizani. Situata është normalisht shumë e vështirë, kjo kuptohet pasi nuk kemi asnjë pikë. Objektivi jonë është që të marrim ndeshjet njëra pas tjetrës dhe të marrim maksimumin. Ky është objektivi ynë, nuk kemi objektiv real”.
Dovedan (Bylis): “Çdo ekip do të paktën tre a katër ndeshje që të duket vërtet çfara ka në organik, flas për ndeshje zyrtare jo miqësore. Është fitorja ime parë dhe është plotësisht fitore e merituar. Dy ekipet kanë stile të ndryshme kështu që fitorja sot ishte për ne. Bylis do të vazhdojë të zhvillojë ndeshje të mira për të arritur të tjera fitore”
Ilir Daja(Skënderbeu): “E lexuam manovrën e Bylisit, por nuk arritëm që të rregullonim problemet. Ishin me tre qendra dhe kishte dy mesfushë qendrorë që na jepnin presion të madh. Futbollistët tanë nuk kishin mundësi për më tepër. Madje edhe Muzaka që nuk para lodhet, sot tregoi lodhje. Nuk ishte momenti i duhur dhe koha e duhur. Sot kemi bërë gjithçka gabim, por shpresojmë që ta kalojmë sa më shpejt”.
Franko Lerda(Partizani): “Në pjesën e parë luajtëm mirë duke shënuar. Deri në minutën e 30 kemi dominuar kundërshtarin. Nuk e kuptojë sesi arbitri mori atë vendim për të ndëshkuar Solomon. Pastaj është e vështirë të luash katër ndeshje në 12 ditë.
Ndihet tek lojtarët kjo lodhje. Nuk më shqetëson fakti që shënojmë pak. Mua më shqetëson fakti që duhet të krijomë raste dhe lojë të mirë. Në ndeshjet e ardhshme nuk mendojë se do të jetë kështu. Na penalizoi vendimi i arbitrit pasi mund të shënonim më tepër. Premtoj që Partizani do të jetë ndryshe. Sot luajtëm vertikalisht kur ishim me 11 lojtarë. Më pas ishte e vështirë. Me 10 futbollistë u munduam thjeshtë të ruajmë rezultatin. Nuk rrezikuam asgjë. Ja dolëm të mbajmë rezultatin.”