Nuk ka fitues në “Niko Dovana“. Teuta ka barazuar me shifrat 1-1 kundër Partizanit, në një ndeshje që mori një vlerë tjetër nga asisti i djeshëm që i u dha Kastrioti duke ndalur Vllazninë. Mbrëmja e sotme ishte mundësia e artë për të kuqtë, që me një fitore afroheshin edhe më tepër me shkodranët, me të cilët do të masin forcat javën e ardhshme. Në përfundim të 90 minutëshit protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport”.
Edi Martini (Teuta): “Nuk arritëm të fitonim pasi bëmë një gabim në fillim duke pësuar gol. Kishim rastet tona dhe e dominuam ndeshjen, pavarësisht kushteve atmosferike që nuk na jepnin mundësi të shkonin shumë lart. Pas daljes me të të kuqe u hodhëm në sulm. Kushtet atmosferike na hapën probleme duke mos qarkulluar topin. Mendoj se duhet ta fitonim ndeshjen dhe të ishim të qetë. Po të goditej topi nga portieri nuk ecte përpara dhe era nuk na lejonte të luanim me pasime në mesfushë. Për këtë arsye duhet të kishim kujdes”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/