Intervista/ “Iki për të mos u kthyer më këtu“, Kallaku i bindur me vete: Duke ulur kokën bëj diferencën atje

Ka përfunduar finalja e Kupës së Shqipërisë në “Air Albania”. Tempulli i Tiranës ra mbrëmjen e sotme, teksa Teuta i ka shkaktuar humbjen e parë në këtë stadium. Një gol që në minutën e 2-të do të hapte sfidën, ndërsa ai në minutën e 79-të mbylli gjithçka. Festa i ka takuar e gjitha klubit durrsak, që në fund ka ngritur trofeun lart. Në fund protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport“.

Sherif Kallaku (Teuta): “Teuta e kishte si projekt për t’u shpallur kampion, por kishte si synim të sillte një trofe në Durrës. Në kampionat nuk na eci mbarë dhe zgjodhëm rrugën më të shkurtër. Është një kënaqësi e madhe edhe për mua që e mbylla me trofe. Jam i lumtur jo vetëm për faktin që do shkoj jashtë, por edhe që kam arritur të lë një shenjë te ekipi i Teutës. Do dëshiroja të mbanin këto ritme dhe t’i shoh sa më lart. Shpresoj të kem një karrierë sa më të mirë, por jetës nuk i dihet. Nëse rikthehem ekipi i parë do jetë Teuta.

Jo më kot kam zgjedhur të kem një eksperiencë të re në një kampionat më të fortë. Mendoj që kam zgjedhur një kampionat që është një trampolinë shumë e mirë për mua. Nëse unë do mendoja që nuk do kisha kualitet dhe cilësi do të rrija në Shqipëri dhe nuk do bëja një sakrificë që të shkoja jashtë. Duke ulur kokën dhe duke u stërvitur shumë besoj se do bëj diferencën edhe atje. Shpresoj që të kem edhe fatin me dëmtimet, por jam shumë i bindur me veten, sepse po iki për të treguar vlerat e mia dhe për të mos u kthyer më këtu”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *