Intervista emocionale e trajnerit të Danimarkës mes lotëve: Lojtarët do vijojnë me trauma! E vështirë të marrësh autobuzin dhe të kthehesh

Trajneri danez, Kasper Hjulmand, nuk mund t’i besojë syve për atë që ndodhi në përballjen Danimarkë-Finlandë. Teksa pritej fitorja e parë e danezëve për të vazhduar rrugën drejt turneut, diçka e papritur tronditi botën e futbollit. Eriksen ra pa ndjenja në fushën e lojës duke shkaktuar kaosin e madh.

Fatmirësisht mesfushori danez është jashtë rrezikut për jetën, por futbollistët e Danimarkës ishin të tronditur nga pamjet dhe nuk mund të flisnin më për futboll duke humbur në vazhdimin e ndeshjes ndaj Finlandën. Trajneri Kasper Hjulmand është shfaqur i përlotur në fundin e takimit duke dhënë deklaratën emocionale:

“Lojtarët tanë ishin “të këputur” në aspektin emocional. Jo vetëm ata që luajtën, por edhe rezervat. Të gjithë u bënë bashkë gjithsesi. Ajo që ndodhi do të lërë një traumë në mendjen e tyre për një kohë të gjatë. Por duhet të vazhdojmë tutje pasi jemi profesionistë. Kemi ndërmend që ta vazhdojmë këtë turne. Arsyeja që zgjodhëm vazhdimin e ndeshjes? Pas gjithë kësaj do të ishte më e vështirë për ne që të merrnim autobuzin sot dhe të vinim këtu nesër përsëri. Do të ishim më konfuz seç ishim sot. Donim që të luanim dhe t’i kalonim të gjitha këto që ndodhën në fushë”, ka thënë trajneri. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *